Kuçi thotë se Qeveria e përkrah projektligjin për ushtrinë

Kuçi thotë se Qeveria e përkrah projektligjin për ushtrinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës do ta përkrahë projektligjin për FSK-në, duke thënë se ky proces është i domosdoshëm edhe në funksion të mbrojtjes së tërësisë territoriale, të qytetarëve dhe pronës së tyre.

“Iniciativa për formimin e ushtrisë së Kosovës është një proces i plotësimit të institucioneve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale të fushës së sigurisë. Ishte proces i gjatë dhe rezultat i angazhimeve të qytetarëve tanë qe nga koha e ambicieve tona për liri dhe pavarësi dhe natyrshëm sublimon vijimësinë e këtyre përpjekjeve”, ka thënë Kuçi.

“Është një proces i natyrshëm pas transformimit të UÇK-së, TMK-së dhe rishikimit te sektorit të sigurisë vite më parë gjithmonë në partneritet ndërkombëtar” ka sqaruar Kuçi.

Tutje Kuçi ka thënë se Ushtria e Kosovës do të jetë e ngritur mbi vlerat kombëtare, por do te mbroj çdo qytetarë të vendit pa dallime etnie si dhe do të jetë partnere e NATO-s dhe bashkëpunuese me KFOR-in në dobi të paqes në vendin tonë dhe në botë.

“Sot secili komunitet pakicë në Kosovë, është integruar në Forcat e Sigurisë së Kosovës më mirë se në të gjitha institucionet tjera. Kjo i jep edhe më shumë kuptim gjithëpërfshirës ushtrisë së ardhme të Kosovës dhe është një motivim shtesë për të gjitha komunitetet, përfshi serbët e Kosovës që ta mbështesin e ta votojnë atë pa dallim”, ka thënë ai për Express.

“Tanimë kjo çështje është ne procedure te iniciuar nga Presidenti dhe Kryesia e Kuvendit proceduralisht do ta dërgoj ne Qeveri e cila shpejt do ta jep mendimin pozitiv”, ka thënë ai.

Projektligji për ushtrinë është dërguar nga Kuvendi tek Qeveria e Kosovës. Por, ky projektligj nuk ka gjetur mbështetjen e NATO-s dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë./Insajderi.com