Kryetari i Vitisë: Nuk pagova asnjë cent për çmimin “Misionar i Paqes”

17.02.2017 17:13
Kryetari i Vitisë: Nuk pagova asnjë cent për çmimin “Misionar i Paqes”

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka deklaruar për Insajderin se ai nuk ka paguar asnjë cent për marrjen e çmimit “Misionar Paqeje”, të cilit në vitin 2014 ia kishte ndarë një OJQ  e dyshuar nga Shqipëria.

Organizata me emrin “Misioni diplomatik Paqe e mirëqenie”, sipas emisionit  investigativ italian “Strisca la notizia”, jep çmime me titujt si diplomatë të OKB-së në shkëmbim të 7 mijë eurove.

“Jo nuk diskutohet ajo temë, sa i përket meje absolut nuk ka të bëj asgjë më mua, ajo është propozim që ata ma kanë bë, asgjë skam të bëj me atë punë”, ka thënë Sokol Haliti,   për Insajderin.

Në ceremoninë që ishte organizuar për kryetarin Haliti kishte marrë pjesë edhe Isa Mustafa në atë kohë në cilësinë e kryetarit të  Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Marrjen e këtij çmimi,  Sokol Haliti e pati quajtur privilegj

“Për persporitet dhe paqe nevojitet angazhim dhe lobim përndryshe idetë mbesin vetëm ide, mbesin ëndrra nostalgjik idilike  po nuk u përqafuan nga njerëz energjik e me shpirt aksioni”, pati cituar fjalët e Richard Holbrooke, kryetari Haliti.

Përveç kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, organizata “Misioni Diplomatik Paqe e Mirëqenie”,  i kishte ndarë çmim edhe kryetarit të Agjencisë Kosovarë të Bizneseve Agim Shahini.

Ndërsa një vit më  vonë, në cilësinë e ambasadorit të këtij misioni dhe laureatit të çmimit nga një vit më herët Shahini, i kishte dhënë çmim të njëjtë edhe një humanistit dhe veprimtarit nga Ferizaj, Shaqir Shabani.

Insajderi ka provuar të kontaktoj me Agim Shahinin mirëpo ai nuk është përgjigjur në telefon as në mesazhin e dërguar nga gazeta.

Emisioni investigativ italian “Strisca la notizia”  që u transmetuan në mbrëmjen e datës 16 shkurt, kanë zbuluar përmes kamerës së fsheht skandalin në Shqipëri për titujt “diplomat i OKB në shkëmbim të 7 mijë euro”.

Sipas emisionit protagonist i këtij skandalit është kryetari i organizatës Shefki Hysa, i cili ka lëshuar tituj si “Diplomat i OKB”, “Konsull Nderi i OKB” e “Misionar i Paqes i OKB”.

Pas verifikimeve të gazetarëve të “Strisca la Notizia” pranë Ministrisë së Jashtme italiane, është vërtetuar se tituj të tillë nuk janë lëshuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara./Insajderi.com