Kryetari i Nicës kërkon rritje të sigurisë

Kryetari i Nicës kërkon rritje të sigurisë

Kryetari i qytetit Nicë në Francë, qytet i cili një vit më parë përjetoi një sulm terrorist me kamion, ka thënë se muajin e ardhshëm, ai do të mbledhë homologët evropianë, për të diskutuar se si mund të përmirësojnë sigurinë, pas sulmit terrorist në Barcelonë.

Tetëdhjetë e gjashtë persona u vranë nga një sulm me kamion në qytetin e Nicës vitin e kaluar, dhe që atëherë disa qytete evropiane kanë përjetuar sulme të ngjashme.

“Jam i bindur se jeta do të triumfojë mbi vdekjen dhe se ne do të triumfojmë mbi barbarizmin dhe terrorin”, u ka thënë gazetarëve Christian Estrosi, teksa ka nderuar viktimat nga sulmet në Barcelonë.

“Është e qartë se kryebashkiakët – qoftë të Berlinit, Londrës, Parisit, Nicës, Barcelonës apo Stokholmit- janë të parët që ballafaqohen me këtë dhunë dhe ata menaxhojnë këto zona publike… po ne nuk jemi ata persona që marrim pjesë në reformat e mëdha kombëtare dhe evropiane”, ka thënë ai.

Estrosi ka thënëse ka marrë vendim që të shpenzojë 30 milionë euro nga buxheti i Komunës, për të mbrojtur zonat që potencialisht mund të jenë në shënjestër për sulme me makina në Nicë. Ai ka shtuar se qyteti që ai udhëheq, ka nevojë për më shumë para, që të përballojë kërcënimet e reja.

Sa i përket takimit me kryetarët e komunave të qyteteve evropiane, Estrosi ka thënë se ky takim do të zhvillohet më 28-29 shtator në Nicë, ku pritet të marrë pjesë edhe përfaqësues të BE-së, përgjegjës për çështje të sigurisë. Në këtë takim pritet të diskutohet për mënyrat e reja se si mund të përmirësohet situata e sigurisë dhe legjislacioni evropian.

“Ne nuk do ta fitojmë këtë luftë me rregullat e paqes”, ka thënë Estrosi.