Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) një veturë të blerë personalisht prej tij në vlerë prej 16 mijë eurove.
Bashota, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk ka treguar tipin e veturës që posedon, mirëpo ka deklaruar se veturës së blerë në vitin 2015, është 16.000 euro.
Ai ka deklaruar edhe pagën e tij si kryetar i Komunës së Klinës. Por, paga e tij vjetore nuk e kalon vlerën e veturës që ka blerë. Bashota ka deklaruar një pagë vjetore prej 14 mijë e 807 euro, e që në muaj i bie të jenë rreth 1 mijë e 200 euro pagë, raporton Insajderi.
Gjithashtu, Bashota ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit edhe një veturë të bashkëshortes së tij, me vlerë 8 mijë euro.
Kryetari i Komunës së Klinës ka deklaruar po ashtu edhe një shtëpi në vlerë prej 100 mijë eurove. Këtë shtëpi, ai thotë se e ka trashëgimi familjare.
Bashota ka deklaruar edhe një banesë, në vlerë prej 15 mijë eurove, edhe pse ka sipërfaqe prej 321 metra katror. Banesën, Bashota thotë se e ka blerë nga paratë familjare. Po ashtu, Bashota ka deklaruar në AKK edhe 2.7 hektarë parcelë tokë.
Sokol Bashota është kryetar i Komunës së Klinës që nga viti 2009. /Insajderi.com