Kryetari i Istogut akuzohet se dëshiron që ilegalisht të japë në shfrytëzim tokën e Komunës

Kryetari i Istogut akuzohet se dëshiron që ilegalisht të japë në shfrytëzim tokën e Komunës

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova paraqiti sot në Kuvendin Komunal propozim-vendime për dhënie në shfrytëzim të katër parcelave komunale në fshatet Vrellë, Cerrcë dhe Lubozhdë.

E opozita e kësaj komune e bojkotoi seancën. Ata thonë se propozimi nuk ka asnjë dokument pëcjellës, dokument destinimi, kategori të tokës, dhe pa analizë rreth ndotjes së ambientit e pa sqarim se për çfarë do të shfrytëzohet.

Përmes një komunikate, Lëvizja Vetëvendosje në Istog ka thënë se komuniteti nuk përfiton asgjë nga ky propozim-vendim.

“Përkundër obligimeve ligjore, propozimi nuk ka asnjë dokument pëcjellës, hapësira, destinimi, kategoria e tokës, pa analizë rreth ndotjes së ambientit, pa sqarim se për çfarë do të shrytëzohet, pa analizë se çfarë përfiton komuniteti, pa analizë se a është në përputhje shfryëzimi i këtyre pronave me rregulloret dhe ligjet komunale, çfarë perfiton Komuna?!”, thuhet në reagimin e VV-së.

“Përkundër kërkesës për largimin e këtyre pikave të rendit të ditës deri në mbledhjen e radhës ku këtyre propozimeve do t’u bashkëngjiten dokumente përcjellëse, qeverisja nuk tërhiqet dhe insiston në votim, pas kësaje opozita lëshon seancën dhe në mungese kuorumi ndërpritet seanca”, njofton VV-ja.

Sipas VV-së, këto katër parcela janë duke u shfrytëzuar ilegalisht si gurëthyes nga persona të afërt të kryetarit të Komunës.

“Ne besojmë që këto parcela tashmë shfrytëzohen ilegalisht si gurëthyes nga persona të afërt më pushtetin, dhe konsiderojmë se e gjithë kjo është tentativë për ta kontrabanduar propozimin që ua mundëson arsyetimin e krimit që është bere tash e sa vite”, thuhet në reagim. /Insajderi.com