Kryetari i Kuvendit përgënjeshtron kryeministrin

Kur kryeministri i vendit Isa Mustafa, doli në foltoren e Kuvendit për të tërhequr nga votimi, ligjin për ratifikimin e kufirit me Malin e Zi, duke dhënë si arsye kushtin e Listës Serbe për votën pro demarkacionit, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ishte aty. Një javë pas, ai ka thënë se nuk është në dijeni nëse Lista Serbe ka një kusht për votën pro

Kryetari i Kuvendit përgënjeshtron kryeministrin

Një koncesion që nuk u tha cili është, u përmend si kusht që Lista Serbe, e ka vënë për Qeverinë e Kosovës, në këmbim të votës pro të deputetëve të këtij grupi parlamentar.

Këtë e pranoi edhe vet kryeministri Isa Mustafa kur u ngjit në foltoren e Kuvendit të Kosovës për të tërhequr nga votimi ligjin për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Fillimisht kryeministri dha si arsye kërcënimet dhe presionet që sipas tij po ushtrohen ndaj deputetëve për të mos e votuar këtë ligj, por fill pas kësaj Mustafa dha arsyen e vërtetë.

“Konisderoj që nuk është në rregull që për këtë ligj të diskutohet dhe të trajtojmë situatën kur kemi edhe presione edhe kërcënime, në situatë kur një grup parlamentar e kushtëzon votimin e këtij ligji, me koncesione, dhe nuk dëshirojmë të bëjmë asnjë koncesion, për një ligj i cili përcakton sovranitetin, dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri në seancën e 1 shkurtit, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit.

Përkundër kësaj Kadri Veseli thotë se nuk është i informuar se Lista Serbe ka një kusht për votën pro demarkacionit.

Ai ka thënë se as ditën kur u tërhoq demarkacioni, e as një javë më pas, nuk është në dijeni të ndonjë kushti të vënë nga lista Serbe.

Kufijtë e Kosovës në dorë të Listës Serbe

Por, ajo që shefi i parlamentit po pretendon se e di mirë është që askush nuk mund të kushtëzojë për asgjë.

Me gjithë turbulencat e krijuara ditëve të fundit, e që kanë të bëjnë me raportet e Listës Srpska me autoritetet e qeverisë dhe shtetit të Kosovës, lista po vlerësohet me kujdes nga kryeparlamentari.

“Lista serbe është e integruar dhe brenda kuvendit janë shumë pozitivë, po ashtu edhe në qeveri”, ka thënë Veseli.

Pa treguar nëse do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar me opozitën, nga kryeministri, Veseli ka thënë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, do të përfundojë.

Sipas kryedeputetit, Kosova duhet t’i ruajë marrëdhëniet e mira me Malin e Zi, e po ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Insajderi.com