Kryetari i Apelit thotë se nuk ka profesionalizëm në rastet korruptive

Kryetari i Apelit thotë se nuk ka profesionalizëm në rastet korruptive

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se ka mungesë profesionalizmi nga policia, prokuroria dhe gjykata në rastet e aferave korruptive në Kosovë.

Duke folur për mbledhjen urgjente për akuzat që ia ka bërë Këshilli Prokurorial atij Gjyqësor për vendimet për rastet e korrupsionit, Shala ka thënë se veprat korruptive janë shumë problematike, derisa ka kritikuar vendimet për dënime me kusht për këto raste.

“Veprat me karakter korruptiv janë problematike sepse duhet profesionalizëm i madh. Duke filluar nga hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët. Ka pak profesionalizëm sepse janë lëndë më të vështira pasi janë lëndë të vështira që të vërtetohen provat para gjykatës. Prokurori ka obligim ligjor ta argumentojë akuzën me prova relevante. Nëse e argumenton atëherë duhet të marrë dënim meritor por shpesh kemi parë që ka pasur dënime me kusht dhe kjo nuk është mirë. Duhet të ngrihet profesionalizmi nga policia, prokuroria dhe gjykata”, ka thënë Shala.

Në “Express Intervistë”, kryetari i Gjykatës së Apelit ka thënë se shpesh ka pasur kompromise mes prokurorisë dhe gjykatës për të fshehur dështimin e prokurorisë në rastet korruptive.

“Kemi një lloj kompromisi mes gjyqtarit dhe prokurorit. Nëse vërtetohet se një person ka kryer vepër penale ai duhet të marrë dënim meritor dhe jo të jepet dënimi me kusht. Po ka kompromise të fshehta dhe të dënohet me kusht. Është gabim dhe duhet të përmirësohet”, ka thënë Shala.

“Nëse prokuroria nuk ka mundur ta argumentojë akuzën dhe për t’ia zbardhur fytyrën prokurorit që të mos dështojë si prokuror, gjykata e dënon x personin me kusht. Ai duhet ta marrë dënimin meritor, ashtu siç e parasheh ligji. Nëse nuk ka vepër akuza duhet të refuzohet”, ka shtuar ai.

Akuzat e kryeprokurorit Aleksandër Lumezit, Shala i ka cilësuar si shkelje të etikës së punës dhe të kushtetutës, por ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që kryeprokurori thotë deklarata të tilla.

‘Na akuzuan se nuk jemi duke gjykuar drejt dhe në kundërshtim me ligjin. Deklarimi i kryeprokurorit bie ndesh me etikën dhe me kushtetutën. Kjo nuk është hera e parë që bën këso deklaratash pasi para do kohësh ka kërkuar formimin e një komisioni për vlerësimin e vendimit të gjykatave që janë në kundërshtim me ligjin. Por puna e gjykatave nuk guxon të cenohet”, ka thënë Shala.

Në gjykatën e Apelit ishin 160 lëndë të natyrës korruptive, 145 janë kryer vitin e kaluar dhe 15 bartur për vitin 2018 dhe kanë përfunduar sivjet. Sipas Shalës, Gjykata e Apelit i ka përfunduar në afat të caktuar.

“U kemi dhënë prioritet lëndëve të tilla me qëllim që të kryhen më shpejtë. Lufta kundër korrupsioni nuk bëhet me 20-30 lëndë, por lufta duhet të bëhet në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm nga gjykatat por edhe nga policia, hetuesia dhe institucionet tjera”, ka thënë veç të tjerash ai.