Kryesisë së Kuvendit nuk i mjaftojnë dy ditë për tu marrë me demarkacionin

Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka pranuar të mërkurën e 17 janarit Projektligjin për Demarkacionin me Malin e Zi. Por, edhe pse ky projektligj është dërguar katër ditë para mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë, ata kanë thënë se ky projektligj u është dërguar me vonesë.

Kryesisë së Kuvendit nuk i mjaftojnë dy ditë për tu marrë me demarkacionin

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk e ka proceduar tek deputetët Projektligjin për Ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi në mbledhjen e sotme, pasi siç deklaroi kryeparlamentari Kadri Veseli, komisioni parlamentar e kishte vonuar sjelljen e këtij projektligji pranë Kryesisë.

Në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, Veseli akuzoi Komisionin për Punë të Jashtme për vonesë në sjelljen e projektligjit për demarkacionin.

“Nuk do ta kemi në seancën plenare, për arsye se Komisioni Parlamentar nuk e ka sjellur në kohën e duhur që të trajtohet në këtë mbledhje të Kryesisë”, ka thënë Veseli, shkruan Insajderi.

Por, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani nga LDK, mohon që Komisioni të ketë vonuar projektligjin. Ajo thotë se deklarata e Kadri Veselit është “një e pavërtetë e madhe”.

“Është një e pavërtetë e madhe, por unë nuk po e kuptoj arsyen pse po e thonë”, deklaroi Osmani, në reagim të deklaratës së Veselit. “Unë e kam nënshkruar shkresën më 15 janar, dhe ajo të nesërmën ka shkuar në procedim dhe më 17 janar i është dërguar Kryesisë”.

Madje, Osmani i ka dërguar “Radio Televizionit 21” shkresën e dokumentit që Komisioni për Punë të Jashtme i ka dërguar Kryesisë së Kuvendit, e cila siç shihet në këtë dokument, është dërguar në Kryesinë e Kuvendit të mërkurën e 17 janarit.

Por, Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk është marrë me Projektligjin për Ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, edhe pse ky projektligj i është dërguar atyre, katër ditë përpara se të mbahej mbledhja e Kryesisë të hënën.

Edhe Albert Krasniqi, hulumtues nga KDI, thotë se dërgimi i projektligjeve nga komisionet parlamentare tek Kryesia e Kuvendit bëhen për çështje ditësh.

“Duhet të jetë në pyetje një çështje ditësh proceduralisht. Ndërsa, maksimalisht procedura është dy muaj, prej momentit kur futet në Kuvend deri në momentin kur duhet të shkojë tek Kryesia e Kuvendit”, deklaroi Krasniqi, për Insajderin.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës, të mbahet më 25 janar. /Insajderi.com