Kryeministri, takime intensive për Demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se ka tërhequr nga rendi i ditës ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, pasi situata nuk ka qenë e volitshme për procedimin e këtij projektligji.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kreu i Ekzekutivit ka thënë se ka pasur presione dhe kërcënime individuale të deputetët.

“Unë nuk iu kam adresuar asnjë subjekti politik në mënyrë të veçantë për kushtëzime. Kushtëzime s’do të pranojmë nga askush. Ajo që tani konsideroj që duhet ta bëjmë, është të zhvillojmë konsulta me të gjithë aktorët”, ka deklaruar Mustafa.

Ai folur edhe për takimin që ka pasur dje me kryetarët e komunave Pejë, Deçan, Istog e Junik, nga të cilët ka kërkuar informim, në qoftë se kanë humbur tokë.

Ai ka kërkuar edhe nga Agjensioni i Pyjeve të Kosovës dhe KEK-u që të qartësojnë informatat, në mënyrë që të informohen qytetarët, shkruan telegrafi.

“Sot kam takime dhe me Policinë Kufitare që të na japin informata se në cilën pikë e kanë menaxhuar kufirin. Do të bisedojmë me të gjithë. Iu kisha lut edhe juve si ministra që edhe në fushëveprimin tuaj t’i sqaroni të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me atë pjesë të kufirit. Të mos lëmë asnjë dyshim dhe kur t’i ballafaqojmë faktet atëherë mbetet çështje e vullnetit politik. Duhet të krijojmë një klimë të argumentimit”, ka thënë Mustafa më tej.

Ai ka deklaruar se mirëpresin vendimin e Parlamentit Evropian për raportin për vizat.

“Çështja tani mbetet tek ne. Ne nuk mund ta fajësojmë më askënd për mosliberalizim. Mbetët që vendimin ta marrim ne me ratifikimin e demarkacionit. Do të punojmë dhe me opozitën. Do të takohemi me të gjithë ata që kanë vullnet të takohemi. Para procedimit do të dëshiroja të punojmë që çdo gjë ta argumentojmë”, ka deklaruar i pari i Qeverisë.