Kryeministri përgëzon autorin për suksesin e fotografisë me gaz lotsjellës në Kuvend

Kryeministri përgëzon autorin për suksesin e fotografisë me gaz lotsjellës në Kuvend

Fotografia që shfaqë sallën e Kuvendit të Kosovës me plot gaz lotsjellës i hedhur nga opozita në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është zgjedhë në mesin e 100 fotografive më të mira në botë për vitin 2016 nga revista amerikane “TIME”.

Megjithëse kjo fotografi tregon ngjarje të dhimbshme brenda institucionit më të lartë legjislativ në vend, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk ka hezituar ta përgëzojë autorin e fotografisë, duke e cilësuar si sukses të tij.

“Kjo fotografi nga Kosova është përzgjedhur në mesin e 100 fotografive më të mira të vitit 2016, nga Revista Time. Edhe pse fotografia paraqet ngjarjet e pakëndshme që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës, e përgëzoj fotografin e talentuar, Armend Nimani, për suksesin e arritur përmes kësaj fotografie”, ka shkruar kryeministri Mustafa në facebook.

Mustafa ka thënë se, “përkundër episodeve të izoluara, Kosova ka potencial të madh kreativiteti, vitaliteti dhe talentesh, të cilët nganjëherë me forma artistike po i rikuperojnë dëmet që pa nevojë i kemi shkaktuar vetvetes”.

“Urime Armend Nimanit dhe komunitetit të fotografëve dhe artistëve pamor të Kosovës!”, ka përfunduar postimin kryeministri./Insajderi.com

isa-ne-fb