Kryeministri në Shqipëri, në shoqërinë e një të dënuari për armëmbajtje pa leje

Kryeministri në Shqipëri, në shoqërinë e një të dënuari për armëmbajtje pa leje

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka kaluar të dielën në Shqipëri, teksa është shoqëruar nga anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muhamet Bojku, i cili kishte mbajtur tetë muaj burg për armëmbajtje pa leje.

Haradinaj, Bojku dhe disa persona të tjerë që kishin qenë në shoqërinë e tyre, e kanë kaluar ditën e sotme në fshatin malor të Vlahës në Bashkësinë e Kukësit, në Shqipëri.

Bojku ka publikuar në Facebook disa fotografi të tij dhe të kryeministrit nga vizita në Vlahë të Shqipërisë, raporton Insajderi.

Haradinaj dhe Bojku në Vlahë të Shqipërisë

Bojku ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Pejë për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit, në vitin 2012. Bashkë me të, lidhur me të njëjtën akuzë, ishin shpallur fajtorë edhe vëllai i tij Ali Bojkaj dhe Gazmend Syla, tashmë këshilltar i kryeministrit Haradinaj.

Disa muaj më vonë, në shtator të vitit 2012, një trup gjykues i përbërë nga një gjyqtar i EULEX-it dhe dy vendas, i kishte ndryshuar dënimet në rastin kundër Muhamet Bojku, Ali Bojku dhe Gazmend Sylaj, shkruan Insajderi.

Gjykata Supreme i kishte ndryshuar dënimet ndaj tre të pandehurve. Për Muhamet Bojkun kishte vendosur tetë muaj burgim. /Insajderi.com