Kryeministri “ndëshkon” Prishtinën e Vetëvendosjes dhe “Jerusalemin e PDK-së”

Kryeministri “ndëshkon” Prishtinën e Vetëvendosjes dhe “Jerusalemin e PDK-së”

Vetëm një nga 10 komunat që do të gëzojnë rritje buxheti për investime kapitale udhëhiqet nga PDK-ja ndërsa kryeministri ka injoruar edhe kryeqytetin e udhëhequr nga Vetëvendosje.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që njëherësh është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe ministri i Financave Avdullah Hoti, kanë shfrytëzuar buxhetin e shtetit që të favorizojë komunat që udhëhiqen nga partia e tyre kur kanë mbetur vetëm një vit deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Projektbuxheti për vitin 2017 – që nga kryeministri Mustafa u cilësua si historik për shkak të pritshmërisë së tij se do të arrijë deri në dy miliardë euro – ka mundësuar rritjen e buxhetit në gjithsej 35 komuna.

Por, nga 10 komunat që do të gëzojnë buxhetin më të lartë për investime kapitale vetëm një udhëhiqet nga PDK-ja, partner i LDK-së në qeveri.

Lipjani, Peja, Ferizaj dhe Gjilani janë të gjitha komuna që udhëhiqen nga LDK-ja të cilat do të gëzojnë buxhetin më të lartë për investime kapitale bazuar në buxhetin e propozuar.  Në anën tjetër, vetëm Vushtrria që udhëhiqet nga PDK-ja bënë pjesë në këtë listë.

Nga pesë komunat tjera, tre janë që udhëhiqen nga partitë serbe (Leposaviqi, Mitrovica e Veriut e Graçanica), Deçani i AAK-së dhe Gjakova e AKR-së.

Për më tepër, bazuar në një analizë të bërë nga Instituti GAP për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, del se dy komunat që udhëhiqen nga PDK – Prizreni e Kamenica – kanë rënie të buxhetit për investime kapitale.

“Prizreni gjatë këtij viti për investime kapitale ka pasur 17,509,568 euro, ndërsa në 2017 do të ketë 14,912,402 euro, apo afro 2,6 milionë euro më pak”, thuhet në këtë analizë.

“Shumë e vogël për investime kapitale i ka mbetur Kamenicës. Kjo komunë në 2016 ka pasur në dispozicion 356,606 euro, ndërsa në 2017 do të ketë 124,795 euro, apo afro 232,000 euro më pak”.

Prizreni udhëhiqet tash e tre mandate nga PDK-ja, që e ka konsideruar këtë qytet si Jerusalemin e tyre.

Në anën tjetër, Prishtina që në 2016 ka pasur buxhet për investime kapitale prej 28,1 milionë euro, në 2017 buxheti që kjo komunë do ta ketë në dispozicion për investime kapitale do të jetë 22,7 milionë euro, apo afro 5,4 milionë euro më pak.

LDK kishte qeverisur me Prishtinën që nga paslufta, ndërsa ka qenë vetë Mustafa që e humbi atë tek Shpend Ahmeti me balotazh në fund të vitit 2013, pasi kishte fituar bindshëm në rundin e rregullt. Prishtina është konsideruar gjithherë si bastion i LDK-së ndërsa kjo parti mbanë shpresë për ta rikthyer atë vitin e ardhshëm.  Së fundi, kryeministri Mustafa propozoi që të hiqet nevoja e balotazhit në zgjedhjet e ardhshme.

Buxheti i propozuar në mbledhjen e qeverisë ditë më pari nxiti përplasje mes dy zëvendësministrave të Financave, që vijnë nga LDK e PDK.  Zëvendësministri Isni Kilaj, që është anëtar i PDK-së, e ka konsideruar buxhetin si të fryrë artificialisht dhe të fokusuar në komuna që udhëhiqen nga LDK-ja.

LDK e PDK lidhën koalicion në nivel qendror në fund të vitit 2014, ndërsa marrëveshja mes dy partive kishte ardhur pas akuzave të rënda që të dy palët kanë thënë për njëra-tjetrën./Insajderi.com