Kryeministri Mustafa kërkon mbështetje nga Vatikani

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Vatikan, ka takuar autoritete të larta të Selisë së Shenjtë.

Kryeministri Mustafa kërkon mbështetje nga Vatikani

Kryeministri Mustafa sot mori pjesë në meshën e mbajtur për nder të shenjtërimit të Nënës Terezë në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe më pas zhvilloi një takim me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e informoi për progresin në Kosovë.

Duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë, kryeministri Mustafa kërkoi mbështetje të mëtejme për Kosovën.

Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa shprehu përkushtimin e shtetit të Kosovës për thellimin e gjithanshëm të bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi krenarinë e madhe të popullit të Kosovës për shenjtërimin e Nënës Terezë, duke e falënderuar për respektin e posaçëm që i është bërë delegacionit të Kosovës, gjatë këtyre ceremonive.

Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, shprehu përkrahjen e Selisë së Shenjtë për Kosovën, duke i uruar Kosovës mbarësi në proceset e saj zhvillimore.

Kardinali Parolin, po ashtu, theksoi kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve dhe qytetarëve të Kosovës në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.

Gjatë qëndrimit në Romë, kryeministri Mustafa ka takuar edhe Nuncin Apostolik të Vatikanit për Slloveni dhe Kosovë, Juliusz Janusz, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të Kosovës./Insajderi.com