“Për Isën me dashuri” – Reagimi kundër gjuhës seksiste të kryeministrit

Pamaturia  e kryeministrit në deklarimet e tija publike, sidomos në Facebook ka qenë jo rrallë temë e diskutimeve mediale. Një status i shkruar të shtunën, ka vënë në pah këtë pamaturi por ka shpërfaqur edhe anën seksiste të tij. E për këtë kanë reaguar grupi “Haveit” me një fotografi në të cilën njëra prej anëtareve pozon para ndërtesës së Qeverisë

“Për Isën me dashuri” – Reagimi kundër gjuhës seksiste të kryeministrit

Një peticion online që kërkonte largimin e ambasadorit amerikan nga Kosova kishte bërë që kryeministri të “shqetësohej” aq shumë sa të shkruante një status në profilin e tij në Facebook.

Por ky status ka vënë në dukje edhe një anë tjetër të kryeministrit, anën seksiste të tijën në raport me gjininë femërore.

“Ata që “frikësohem” se mos po e lëshojnë Kosovën pasi i ka lëshuar mendja, janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi, e mos po lenë burrat e tyre e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon) apo disa OJQ-ista nacionalist ,mos po turren kah lindja”, kishte shkruar ndër të tjera kryeministri në Facebook. 

E pikërisht ky aludim ndaj grave të kullosin të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi që mund të braktisen nga burrat e tyre, ka bërë që kolektivi artistik Haveit nga Prishtina të reagojnë ndaj asaj që ato e quajnë “mendësi seksiste të kryeministrit”

status1

Vajzat e kolektivit të njohur për performanca dhe ndërhyrje në hapësira publike duke reaguar kundër realitetit shtypës ndaj kategorive të ndryshme shoqërore, kanë publikuar një fotografi ku njëra prej anëtareve pozon para ndërtesës së Qeverisë me moton “Për Isën me dashuri”.

haveitisa

E njëjta fotografi ishte postuar në nëntor të vitit 2015, si reagim ndaj “dekorimit të godinës së Qeverisë” me rastin e Ditës kundër dhunës ndaj femrave.

Përdorimi i së njëjtës fotografi për të reaguar ndaj deklaratës të së shtunës nga kryeministri është i qëllimshëm dhe është bërë për të treguar vazhdimësinë e mendësisë seksiste që ka Qeveria e Kosovës dhe heshtjen e vazhdueshme për dhunën ndaj femrave.

“Ky reagim është kundër arrogancës, injorancës dhe mendësisë seksiste të kryeministri. Po ashtu ky reagim ka lidhje me atë të vitit të kaluar, për shkak që dhuna verbale buron nga ajo ndërtesë”, thanë anëtaret e Haveit për Insjaderin.

Sipas tyre kryeministri dhe Qeveria ka një qasje seksiste e cila shpeshherë eskalon edhe në dhunë verbale.

Seksizmin e tij në këtë status e ka vërejtur edhe vet kryeministri, i cili 7 orë pasi e kishte publikuar, ka vendosur që ta përmirësoj duke hequr pjesën i drejtohet grave.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri ka përmirësuar fjalinë ku thuhet se “janë disa gra që kanë kullotë…” duke e hequr fjalën “gra”. Si përfundim, pas 4 përmirësimeve të kësaj deklarate, kryeministri ka shkruar “janë disa që i kanë kullotë…” .

status1 status4

Për Haveit që përbëhet nga Hana e Vesa Qena dhe Lola e Alketa Syla, kryeministri me këtë përmirësim “mendon se në këtë mënyrë harrohet puna dhe mendësia e tij seksiste”, por kjo sipas tyre nuk e bënë kryeministrin më shumë apo më pak seksist sesa që është.

“Kjo mbi të gjitha tregon për arrogancën dhe prepotencën e kryeministrit dhe për dozën e lartë të nënçmimit që kryeministri ka për popullin e vet”, thonë Haveit, për Insajderi.