Kryeministri kundër themelimit të ushtrisë “pa koordinim me SHBA-të”

Kryeministri kundër themelimit të ushtrisë “pa koordinim me SHBA-të”

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë sot se Qeveria e Kosovës ka vullnet për themelimin e ushtrisë, por sipas tij, qeveria është e përcaktuar që ushtria të themelohet në pajtueshmëri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë shënimit të 27-vjetorit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, kryeministri Mustafa deklaroi se edhe pse LDK-ja kërkon që të koordinohet me partnerët ndërkombëtar për themelimin e ushtrisë, nuk do të thotë se është kundër ushtrisë.

“Kemi përkushtim të plotë që ta themelojmë Ushtrinë, por e kemi përcaktimin tonë që këtë themelim ta bëjmë në pajtueshmëri dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe me Aleancën Veriatlantike. Kjo assesi nuk nënkupton se ne shprehim mosqëndrueshmëri në themelimin e Ushtrisë, sepse jemi të vendosur që atë ta bëjmë”, deklaroi Mustafa.

“Por, jemi të vendosur që t’i shfrytëzojmë të gjitha hapat që këtë ta koordinojmë me partnerët tanë strategjikë, sepse këtë vend e kemi bërë me këta partnerë”, tha kryeministri i Kosovës.

Në manifestimin e mbajtur në Prizren morën pjesë qindra qytetarë të Prizrenit, simpatizantë dhe aktivistë të LDK-së në këtë komunë, njofton LDK përmes një komunikate për medie.

Gjatë ceremonisë, ku ishin prezentë edhe shumë të rinj dhe të reja nga Prizreni, u bë pranimi i 300 anëtarëve të rinj. /Insajderi.com