Kryeministri ka një kërkesë për Dreshajn pas fitores në Istog

Kryeministri ka një kërkesë për Dreshajn pas fitores në Istog

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i ka komentuar zgjedhjet e djeshme në Istog për kryetar të kësaj komune.

Ai ka thënë se aty është treguar pjekuri e lartë.

“Zgjedhjet në Istog kanë treguar pjekurinë tonë si shoqëri dhe kanë dëshmuar vizionin për të ardhmen e vendit”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Haradinaj vlerëson se qytetarët e Istogut votuan për të ardhmen e tyre.

“I përgëzoj qytetarët e komunës së Istogut për zgjedhje të qeta dhe e vlerësoj përkushtimin e tyre për të marrë pjesë në votim edhe për herën e tretë. Zgjedhja e Istogut është zgjedhje e ndryshimit dhe zgjidhje për të ardhmen e qytetarëve të tij”, ka shtuar ai.

“E vlerësoj punën e të gjithë mekanizmave që janë përkujdesur për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Istog dhe i përgëzoj për punën e bërë”, vlerëson kryeministri Haradinaj, i cili njëherësh është edhe shef i partisë së Dreshajt.

Megjithatë, pas kësaj fitoreje (bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së), Haradinaj ka kërkuar nga Dreshaj që të jetë figurë unufikuese për qytetarët e Istogut.

“Kryetari i ri i Istogut duhet tani të jetë figura unifikuese e komunës, që do të punojë për secilin qytetar të tij dhe për të mirën e gjithë komunitetit”, ka precizuar ai.

“Procesi zgjedhor në Kosovë u përmbyll me votimin në Istog dhe është procesi deri më sot më i mirë i organizuar. Kjo është një vlerë e demokracisë në Kosovë që po zhvillohet dhe ndërtohet çdo ditë. Zgjedhjet komunale prekin dhe ndryshojnë jetën e njerëzve, prandaj kanë rëndësi jetike për të ardhmen më të mire të qytetarëve”, përfundon postimi i tij./Insajderi.com