Kryeministri holandez mposht kandidatin anti-islamik

16.03.2017 07:51
Kryeministri holandez mposht kandidatin anti-islamik

Në Holandë, partia e qendrës së djathtë e kryeministrit Mark Rutte fitoi zgjedhjet parlamentare të 15 marsit, me së paku 31 ulëse në Parlamentin prej 150 vendesh, thonë exit-pollet që publikoi transmetuesi kombëtar NOS.

Partia Popullore për Liri doli shumë më lart seç sugjeronin sondazhet e opinionit gjatë fushatës zgjedhore.

Partia anti-islamike Liria, e udhëhequr nga Geert Wilders, nuk arriti depërtimin e pritur dhe mori vetëm 19 ulëse në Parlament.

Demokristianët dhe partia e qendrës D66 po ashtu fituan nga 19 ulëse, thonë exit-pollet.

Partia Laburiste, partnere e koalicionit të zotit Rutte qysh në vitin 2012, doli keq, duke rënë në nëntë ulëse, nga 38 sa ka pasur.

Partisë së kryeministrit Rutte tani do t’i duhen së paku tre partnerë të tjerë për të siguruar shumicën.

Zgjedhjet në Holandë janë të parat prej tri palë zgjedhjeve që mbahen këtë vit në Evropë e që shihen si test për unitetin e Bashkimit Evropian, në kohën e rritjes së ndjenjave nacionaliste në kontinent.

Në zgjedhjet presidenciale në Francë, kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, pritet të arrijë në balotazh në muajin maj.

Gjermania mban zgjedhjet e përgjithshme në shtator, ndërsa partia euro-skeptike Alternativa për Gjermaninë, e cila ka kundërshtuar politikën e kancelares Angela Merkel për refugjatët, ka rritur popullaritetin e saj.