Kryeministri Haradinaj pritet të udhëtojë në Bruksel

Kryeministri Haradinaj pritet të udhëtojë në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, realizoi një vizitë pune në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MPPH), me ç’rast u informua nga ministrja e kësaj ministrie, Albena Reshitaj, me gjendjen në këtë ministri, prioritetet e saj dhe projektet që janë duke u realizuar.

Komunikata për media njofton se kryeministri Haradinaj do të udhëtojë në Bruksel më 17 nëntor, kjo në kuadër të agjendës evropiane.

Haradinaj theksoi se është me rëndësi që të avancojë baza ligjore, që ligjet e nevojshme dhe menaxhimi i tyre të jetë efikas dhe të ketë kapacitet zbatues.

Duke njoftuar për vizitën që do të ketë në Bruksel më 17 nëntor, kryeministri Haradinaj tha se ajo që duhet të ketë vëmendjen tonë, është agjenda evropiane dhe zbatimi i MSA-së, prandaj, siç potencoi kryeministri, duhet të qartësohet deri atë ditë se ku ka arritur Kosova me MSA-në dhe çka mund të bëjmë vitin që vjen.

Ndërkaq, Reshitaj theksoi se mjedisi dhe mbrojtja e tij, do të jenë prioritet i kësaj Qeverie, duke u nisur nga menaxhimi i mbeturinave, trajtimi i lumenjve, trajtimi i ujërave të zeza, ngritja e cilësisë së ajrit, krijimi i hapësirave të gjelbra, planifikimi hapësinor, duke respektuar zbatimin e plotë të kornizës ligjore që lidhet me këtë ministri.