Kryeministri e quan “Njeri të Epokave” ish-presidentin Rugova

Kryeministri e quan “Njeri të Epokave” ish-presidentin Rugova

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova në 11-vjetorin e vdekjes.

Për Mustafën, Rugova ishte arkitekt i pavarësisë së Kosovës dhe kishte një personalitet frymëzues, njofton Insajderi.

“Sot, me pikëllim dhe shumë krenari, në 11 vjetorin e kalimit të tij në amshim, e përkujtojmë Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugovën. Rugova ishte arkitekt i pavarësisë, lider vizionar, personalitet frymëzues, të cilit s’ia dëgjoi kurrë askush një fjalë të keqe”, shkruan Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Teksa kujton veprimtarinë e ish-presidentit të Kosovës, Mustafa citon disa fjalë të senatorit amerikan Bob Doll, për Rugovën. Mustafa thotë se “Rugova ishte “Njeri i Epokave”.

“Gjatë jetës së tij, Rugova na udhëhoqi drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, vendosi standardet më të larta në politikë, u bë mik i shquar i botës demokratike, ishte krijues kulminant dhe njeri shembullor. ‘Ashtu si Presidenti Amerikan Abraham Lincoln, Presidenti Rugova është bërë njeri i epokave’, shkruante Senatori Bob Doll”, shkruan kryeministri Mustafa.

 

 

“Ibrahim Rugova ishte me të vërtetë i tillë: Njeri i Epokave”, thotë Kryeministri i Kosovës. /Insajderi.com