Kryeministri i Çekisë heq dyshimet për çnjohjen e Kosovës

Kryeministri i Çekisë heq dyshimet për çnjohjen e Kosovës

Kryeministri i Çekisë, Andrej Babiš ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të tij ndaj Kosovës, pavarësisht se në këtë vend ka nisur peticione për tërheqje të njohës së pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri çek i ka dërguar një urim kryeministrit Ramush Haradinaj me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë, duke konfirmuar mbështetjen e Çekisë për Kosovën.

“Më lejoni t’iu sigurojë që, sikurse ka qenë edhe në dhjetë vitet e kaluara, Republika e Çekisë do të vazhdojë të ju mbështesë në përpjekjet tuaja për fuqizimin e sundimit të ligjit, ndërtimin e marrëdhënieve miqësore brenda tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian. Jam i bindur që ne do të vazhdojmë të punojmë me sukses së bashku për promovimin e vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë në vitet që do të vijnë”, ka shkruar ndër të tjera në urimin e tij Kryeministri i Çekisë, përcjell lajmi.net.

Ndërsa kryeministri Haradinaj ka falënderuar atë për mbështetjen dhe urimin.

Ish-diplomati çek, Jan Kavan, ditë më parë sipas raportimeve të medieve serbe, kishte  filluar një peticion për tërheqjen e njohës për Kosovën nga Republika Çeke.

Po ashtu lidhur me këtë është raportuar se do të organizohet edhe një protestë, ku pritet t’i bashkohet edhe presidenti Milosh Zeman.

Urimi i Kreyeministrit  të Çekisë:

Shkëlqesia juaj,

Më lejoni të ju uroj përzemërsisht juve dhe popullin e vendit tuaj me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kam kënaqësinë që sot në Kosovë shohim një shtet me orientim të qartë evropian dhe euro-atlantik, i cili përpiqet që të krijojë institucionet e tij demokratike dhe me durim të konsolidojë pozicionin e tij brenda komunitetit ndërkombëtar. Gjithashtu do të dëshiroja të shpreh admirimin tim për vullentin jashtëzakonisht të fuqishëm të popullit tuaj për të ndjekur një rrugë për një shoqëri të lirë dhe të hapur, përkundër ngjarjeve dramatike që kanë paraprirë pavarësinë e Kosovës.

Më lejoni t’iu sigurojë që, sikurse ka qenë edhe në dhjetë vitet e kaluara, Republika e Çekisë do të vazhdojë të ju mbështesë në përpjekjet tuaja për fuqizimin e sundimit të ligjit, ndërtimin e marrëdhënieve miqësore brenda tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian. Jam i bindur që ne do të vazhdojmë të punojmë me sukses së bashku për promovimin e vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë në vitet që do të vijnë.

Shkëlqësia juaj, do të dëshiroja të ju falënderoj për ftesën tuaj për të marrë pjesë në festimet e përvjetorit të rëndësishëm. Me keqardhje, më duhet të ju informoj që për shkak të angazhimeve tjera zyrtare nuk do të kem mundësinë të marrë pjesë në këtë ngjarje të paharrueshme.