“Kryeministër, ku je strukur, pse nuk flet?”

“Kryeministër, ku je strukur, pse nuk flet?”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka shtruar një varg pyetjesh në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për arrestimin dhe paraburgimin e tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, kreu i kësaj partie Visar Ymeri ka reaguan në llogarinë e tij në Facebook.

“Politikisht dhe në aspektin kushtetues protesta jonë u dëshmua e drejtë dhe e domosdoshme. Duke e ndalur Zajednicën e shpëtuam rendin kushtetues të Republikës. Duke e pamundësuar ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi e ruajtëm integritetin territorial të Republikës”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se këto fletarrestime janë hakmarrje nga Klani Pronto.

“Këto fletarreste për deputetët e dënime makabër për aktivistët janë hakmarrje e Klanit Pronto dhe Pronto 2 të LDK-së. Për shkak se nuk i lejuam ta shkatërrojnë Republikën. Të dëshpëruar e në panik, sikur atëherë, do të dështojnë, sikur atëherë”, ka shtuar më tej ai.

Megjithatë, Ymeri ia ka drejtuar disa pyetje kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, me të cilin dikur protestonin bashkë.

“Po Kryeministri? Ku është strukur? Pse nuk flet? Çka mendon sot? A kishim gabuar që u angazhuam bashkë në protestë? A është sot kundër protestës së përbashkët dje? A mendon sot se Zajednica e Marrëveshja për demarkacion është dashur të kalojnë? A është kapur edhe ai? Apo vetëm ia kanë lidhur gojën”, ka përfunduar ai.