Kryeakademiku Islami akuzon Bulliqin dhe Isufin: Po ia futni barutin Kosovës

03.03.2017 18:39
Kryeakademiku Islami akuzon Bulliqin dhe Isufin: Po ia futni barutin Kosovës

Kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe kryetari i Komisionit për Matjen e territorit të Kosovës ka thënë se ata që janë kundër Demarkacionit dhe rezultatit të dalur nga matja e territorit të Kosovës janë injorantë dhe mediokër të cilët e përdorin shkencën për qëllimet e tyre politike.

Hivzi Islami pohoi në mbledhjen e Qeverisë se komisioni s’ka pasur mandat të bëjë kufij të ri, por thjeshtë me metoda shkencore të bëjë matjen e territorit të vet.

“Injorantët dhe mediokër që e përdorin shkencën në shërbim të qëllimeve politike”, tha Islami.

Madje, ai shtoi se gjatë punës kishte edhe shantazhe për disa nga anëtarët e komisionit. Islami ka folur edhe për gjeografët Shpejtim Bulliqin dhe Florim Isufin.

“Dy studentët e mi ia futën barutin Kosovës”, deklaroi Islami, duke shtuar se komisioni ka qenë transparentë aq sa ishte e mundur, shkruan Klan Kosova.

Islami ka vazhduar duke argumentuar se vija kufitare me Malin e Zi është në rregull.

“114 shtete që na kanë pranuar ne si shtet, na kanë pranuar me këta kufij”.

Kreu i ASHAK-ut shtoi se materialet që i kanë marrë nga të tjerët nuk kanë qenë relevante, prandaj edhe nuk kanë marrë parasysh ato dokumente.

Islami ka treguar se Kosova një kohë ka pasur sipërfaqe 10.690 kilometra katror, më pas Serbia ka shtuar disa kilometra dhe janë bërë 10.887 kilometra katror dhe me matjet e fundit të vitit 1982 ka dalur 10.908 kilometra katror.

“Kam pyetur si ka ndodhur që të rritet sipërfaqja, por më kanë treguar se me përsosjen e teknologjisë dhe me matjet e reja e kanë nxjerr këtë sipërfaqe”.

Prandaj Kosova nga 1982 ka këtë sipërfaqe tokësore dhe Kosova nuk humb tokë me Demarkacionin me Malin e Zi.