KRPP nuk hap konkurs për vendet e punës që iu lejuan nga qeveria

KRPP nuk hap konkurs për vendet e punës që iu lejuan nga qeveria

Derisa institucionet e Kosovës janë të stërmushur me staf tepricë, ekziston edhe paradoksi tjetër kur institucioni nuk shpall konkurs as për to vende pune që i janë lejuar nga ekzekutivi.

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës ka përpiluar raportin e auditimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2017.

“Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson Menaxhmentin e lartë dhe stafin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për bashkëpunim gjatë procesit të auditimit”, thuhet në fillim të raportit.

Sipas ZKA-së, KRPP në përgjithësi ka kontrolle të duhura në raport me obligimet statutore tё saj. Menaxhimi financiar dhe kontrolli kanë dëshmuar proces të mirë të rishikimit dhe siguri në zbatimin e legjislacionit dhe proceseve të tjera, megjithatë, nevojiten përmirësime në paga dhe shtesa si dhe në menaxhimin e pasurive.

Auditori konstaton se buxheti final në raport me buxhetin fillestar ishte rritur për 79,155€. Kjo është rezultat i rritjes së grantit qeveritar për investimet kapitale (61,155€) dhe mallra e shërbimet (18,000€) pas rishikimit buxhetor me vendim të Qeverisë.

Në raport thuhet se në vitin 2017, KRPP ka shpenzuar 415,219€ apo 82% të buxhetit, me një zvogëlim prej 9% krahasuar me vitin 2016. Megjithatë, realizimi i buxhetit mbetet në nivel jo të kënaqshëm.

Auditori gjen se kategoria e pagave dhe mëditje nuk kishte ndryshime në mes të buxhetit fillestar dhe atij final.

“Teprica e mjeteve financiare në fund të vitit (60,796€), ishte si pasojë që katër pozita kishin mbetur të pa plotësuar me staf të rregullte gjatë gjithë vitit 2017. Realizimi i buxhetit final për këtë kategori ishte 80%”, thuhet në raport.

Me rishikim të buxhetit, kategoria e mallrave dhe shërbimeve për këtë institucion ishte rritur për 18,000 euro me vendime të qeverisë. Auditori konstaton se edhe përkundër rritjes së buxhetit për këtë kategori niveli i realizimit të buxhetit mbetët në nivel jo të mirë (77%) e buxhetit final, kjo kishte ndodhur si rezultat i mos realizimit të kontratës për mirëmbajtjen e e-prokurimit elektronik

Në kategorinë e shërbimeve komunale realizimi i buxhetit final ishte 47%. “Teprica e mjeteve financiare të kursyera në fund të vitit ishte (2,649€) në raport me buxhetin final, kjo ka ndodhur pasi që MAP-i i ka mbuluar shpenzimet komunale; dhe  Buxheti final te investimet kapitale ishte në vlerë prej 61,155€, dhe ishte realizuar në tërësi. Këto mjete ishin për vazhdimin e projektit e-pasurisë”, thuhet në raport.

Rekrutimet jo në përputhje me rregullat në fuqi

Neni 6 i rregullorës së punës së KRPP-së, përcakton se të gjithë të punësuarit në KRPP janë shërbyes civil, duke përjashtuar anëtarët e Bordit.

Auditori ka konstatuar se KRPP kishte zhvilluar procedura të rekrutimit në bazë të LSHC për ekspert të TI-së për administrimin e platformës së prokurimit elektronik, dhe se katër herë ishte anuluar konkursi për zgjedhjen e stafit.

“Ne identifikuam se KRPP-ja për stafin e njëjtë bazuar në ligjin e punës kishte lidhur kontrata pune me dy punonjës për pozitat, njëri Specialist i lartë i Teknologjisë Informative dhe tjetri Ekspert i lartë i TI-së”, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas auditorit, rekrutimi i stafit jo në përputhje me rregulloren e brendshme të KRPP-së dhe LSHC, rrit rrezikun që të mos përfillen kërkesat rregullative dhe të vazhdohet me rekrutime jashtë kategorisë së parapara të të punësuarëve në këtë organizatë. Auditori rekomandonin kryetarin e KRPP-së se duhet të sigurojë se të gjitha rekrutimet bëhen në përputhje me LSHC dhe rregulloren e punës së KRPP-së.

Mangësi në menaxhimin e pasurive

Auditori konstaton se KRPP-ja nuk kishte menaxhuar pasuritë në pajtim me kërkesat e rregullores MF nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jofinanciare të organizatave buxhetore.

“Ne kemi vërejtur se sistemi e-pasuria nuk ishte funksional, për faktin se në këtë sistem nuk janë regjistruar pasuritë nën 1,000€ që KRPP i kishte blerë gjatë vitit 2017. Për më tepër pasuritë e vitit 2016 nuk ishin të evidentuar me barkode, dhe se të dhënat e prezantuara në PVF janë hartuar në Excel”, thuhet në raport.

Po ashtu thuhet se komisionet e vlerësimit dhe inventarizimit të pasurive nuk kishin finalizuar procesin me raport dhe rekomandime të qarta për KRPP.

“Për më tepër gjendja mbetet e njëjtë me vitin e kaluar në lidhje me sistemin e-pasurisë”.

Sipas auditorit, kontrollet e dobëta në menaxhimin e pasurisë dhe mosfunksionimi i plotë i sistemit të e-pasurisë, vështirëson menaxhimin dhe kontrollin e pasurive në dispozicion, si dhe rrit rrezikun e humbjes dhe keqpërdorimit të pasurive.

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili me Kushtetutën dhe ligjet e vendit gëzon pavarësi funksionale, financiare dhe operative. Zyra e Kombëtare e Auditimit kryen auditime të rregullsisë dhe të performancës dhe për punën e vet i jep llogari Kuvendit të Kosovës.