KRPP për “Ekspertët e Riinvestit”: Janë angazhuar jashtëligjshëm nga Kuvendi i Kosovës

Angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë që këshilluan në hartimin e ligjit për Trepçën, të cilët ishin të ndërlidhur me Riinvestin e Isa Mustafës, është bërë duke e shpërfillur ligjin e prokurimit publik.

KRPP për “Ekspertët e Riinvestit”: Janë angazhuar jashtëligjshëm nga Kuvendi i Kosovës

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës ka shpërfillur Ligjin e Prokurimit kur vitin e kaluar ka angazhuar gjashtë ekspertë ndërkombëtarë për t’u dhënë këshilla deputetëve gjatë hartimit të Ligjit për Trepçën.

Për angazhimin e tyre janë shpenzuar 27 mijë euro. Pagesa është kryer bashkërisht nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Insajderi pati zbuluar se dy prej gjashtë ekspertëve të angazhuar, kanë qenë të ndërlidhur me Riinvestin, biznes ku ka aksione kryeministri në detyrë Isa Mustafa.

Ndërkaq, bazuar në vlerësimin e KRPP-së, institucion që ka mandatin për monitorimin e zbatimit të Ligjit të Prokurimit, Kuvendi i Kosovës ka qenë i obliguar që të angazhojë nëpërmjet tenderit publik gjashtë ekspertët ndërkombëtarë, të cilët vitin e kaluar ishin angazhuar për të ofruar këshilla lidhur me Ligjin për Trepçën.

“Çdo aktivitet i prokurimit i cili nuk bie në fushëveprimin e nenit 3 të LPP-ës duhet të zhvillohet me njërën nga procedurat e prokurimit që i parasheh  LPP-ja”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së dhënë Insajderit, në pyetjen se a është dashur që Kuvendi i Kosovës të hapë tender për të angazhuar gjashtë ekspertë ndërkombëtarë, të cilët janë paguar në total në shumën prej 27 mijë eurosh.

Neni 3 i Ligjit të Prokurimit Publik thekson se ky ligj përjashtohet në rastet kur shteti lidh kontrata që kanë të bëjnë me furnizim me pajisje ushtarake, kontrata që kanë të bëjnë me sistemin shtetëror të inteligjencës si dhe në rastet kur shteti lidh kontrata direkt me ndonjë shtet tjetër apo ndonjë organizatë ndërkombëtare.

Interpretimi i KRPP-së demanton sekretarin e Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqin, i cili pati pohuar se shpërfillja e procedurave të prokurimit në angazhimin e ekspertëve ishte e ligjshme. Krasniqi pati pohuar se Kuvendi ka vepruar konform “Rregullores së Kuvendit dhe praktikat për angazhimin e ekspertëve individualë dhe pagesën e honorarëve për ekspertizën e tyre”.

Neni 3 i Ligjit të Prokurimit Publik, i cekur nga KRPP-ja, nuk parasheh përjashtime të këtij ligji për rastet kur një institucion ka rregullore që e përjashton prokurimin e hapur.

Lidhur me angazhimin e “ekspertëve të Rinnvestit”, Insajderi ka raportuar në maj të këtij viti për mënyrën se si Kuvendi i Kosovës e bëri angazhimin e ekspertëve të ndërlidhur me biznesin, ku ka aksione kryeministri  Isa Mustafa dhe atëkohë deputeti i LDK-së Muhamet Mustafa. Ish-deputeti Mustafa ishte edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik. Këtij komisioni i takonte që të shtyjë përpara hartimin e ligjit për të ardhmen e ndërmarrjes “Trepça”.

Mustafa kishte marrë bekimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli për të angazhuar gjashtë ekspertë ndërkombëtarë. Në mbledhjen e komisionit të mbajtur më 16 janar të vitit 2016, Mustafa u kishte treguar deputetëve tjerë për punën që do ta kryejnë ekspertët ndërkombëtarë.

Mustafa thoshte se ekspertët nëpërmjet ilustrimit të një rasti të caktuar do të sugjerojnë se si duhet vepruar Kuvendi dhe Qeveria lidhur me ndërmarrjen ‘Trepça’.

Insajderi pati  zbuluar se dy prej gjashtë ekspertëve kanë pasur qëmoti raporte me biznese të deputetit Mustafa, i cili ua mundësoi që të përfitojnë mijëra euro nga buxheti publik.

Dy ekspertët Iraj Hash dhe Florian Kongoli, kanë pasur raporte biznesi me institutin dhe kolegjin Riinvest, dy biznese  të cilat janë krijuar nga deputeti Mustafa, kryeministri Isa Mustafa dhe miqtë e tyre afaristë.

Eksperti Iraj Hash ka qenë i angazhuar në projekte të ndryshme të Riinvest-it, që prej vitit 1999. Kurse Florian Kongoli figuron se është profesor vizitor në Riinvest.

Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës nuk patën dhënë përgjigje për Insajderin në pyetjen se në bazë të të cilave kritere janë angazhuar dy profesorët, të cilët janë të ndërlidhur me biznese të deputetit të LDK-së dhe kryeministrit Mustafa.

Pas publikimit të artikullit pati reaguar ish-deputeti Muhamet Mustafa.“Ata ekspertë nuk kanë asnjë marrëdhënie pune me Riinvest dhe propozimi im që ata të bëjnë punë për Kuvend nuk përbën asnjë konflikt interesi”, pati thënë Mustafa. Lidhur me angazhimin e tyre pati pohuar se “është bërë në pajtim me rregullat ligjore në fuqi dhe se nuk është lënduar asnjë pikë e Ligjit për Konfliktin e Interesit”.

“Puna e tyre ka qenë shumë cilësore dhe ka ndihmuar qëllimin për të cilin janë bërë shfrytëzimin e përvojave të avancuara për të draftuar një ligj të mirë për Trepçën”, pati pohuar Mustafa, duke iu falënderuar ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryeministrit në detyre Isa Mustafa për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij projekti.