“Krimet në Siri më të këqija se në ish-Jugosllavi”

“Krimet në Siri më të këqija se në ish-Jugosllavi”

Carla Del Ponte i tha të përditshmes zvicerane “Blick” se krimet e kryera në Siri janë “më të këqija se në ish-Jugosllavi dhe Ruandë”.

“Unë jam e frustruar, po largohem, kam shkruar letrën time të dorëheqjes dhe do ta publikoj atë në ditët e ardhshme”, tha ajo, duke shtuar se pas pesë vitesh, ajo nuk mund të qëndronte më në komisionin që ajo e udhëheq duke bërë në të njejtën kohë “absulutisht asgjë”.

“Ne nuk kemi patur asnjë sukses”, tha Del Ponte.

Ajo akuzoi anëtarët e Këshillit të Sigurimit për refuzimin e vënies së drejtësisë, dhe shtoi se deri në krijimin e një gjykate për krime lufte të kryera në Siri, “të gjitha raportet janë krejtësisht të padobishme”, raportoi “b92”, transmeton Periskopi.

Sipas saj, “fillimisht në Siri, opozita ishte e mirë, qeveria ishte e keqja” – por tani, “të gjithë janë të këqij”.

“Qeveria e Asadit po kryen krime të tmerrshme kundër njerëzimit duke përdorur edhe armët kimike, ndërkaq opozita përbëhet nga ekstremistë dhe terroristë”, u shpreh Del Ponte.

“Më besoni, krimet e tmerrshme që janë kryer në Siri nuk i kam parë as në Ruandë e as në ish-Jugosllavi”, tha ajo. “Ne menduam se komuniteti ndërkombëtar kishte mësuar nga Ruanda, por jo, nuk mësoi asgjë”, deklaroi Del Ponte.

Nuk ka “shkolla apo institucione” në vend, tha ajo.

Sipas saj, kjo paraqet një skandal për bashkësinë ndërkombëtare.

Komisioni i OKB-së mbi Sirinë njoftoi se Del Ponte në qershor informoi kolegët e saj për vendimin e saj për të lënë postin “në një të ardhme të afërt”.