“Krijimi i Qeverisë do të jetë problem”

“Krijimi i Qeverisë do të jetë problem”

Valmir Ismajli, analist nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, në një intervistë për Evropa e Lirë, konsideron se nuk mund të ketë probleme të mëdha në zgjedhjen e kryetari të ri të Kuvendit të Kosovës, nëse respektohen rregullat dhe ligjet.

Mirëpo, sipas tij, problem mund të ketë në krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, si pasojë e numrit të pamjaftueshëm të votave nga koalicioni PAN.

“Problemin më të madh e shoh në krijimin e Qeverisë, sepse deri më tani, veç asaj që është thënë se PAN-i i ka numrat, në fakt nuk ka asgjë konkrete dhe të gjithë të apostrofuarit (deputetët e përfolur se do ta votojnë Qeverinë e re) e kanë mohuar një gjë të tillë”.

“Megjithatë, unë pres që gjithçka do të duhej të shkonte sipas procedurës dhe mundësia e parë për formimin e Qeveris t’i jepet PAN-it, përderisa mundësia e dyte duhet t’i jepet koalicionit LAA ose VV. Nëse një gjë e tillë nuk shkon sipas këtyre proceduarave, mund të kemi problem ose bllokadë siç kemi pas edhe në vitin 2014”, thotë Ismajli.

Koalicioni PAN, si koalicion fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, pritet të përballet me dy ‘beteja’ rreth krijimit të numrave.

Së pari, në seancën konstituive, kërkon të gjejë mbështetjen e deputetëve për zgjedhjen e kryetarin e Kuvendit, i cili sipas të gjitha matematikave zgjedhore, i takon që të propozohet nga ky koalicion.

Sigurimi i numrave, është shndërruar në pjesën më të rëndësishme të kalkulimeve politike në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 3 gusht.