Krasniqi: U bëmë bashkë me PDK-në se po rrezikohej siguria kombëtare

Krasniqi: U bëmë bashkë me PDK-në se po rrezikohej siguria kombëtare

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, përmes një opinioni të postuar në llogarinë e tij në Facebook, ka arsyetuar koalicionin e arritur me PDK-në e Kadri Veselit.

Krasniqi ka thënë se një prej arsyeve të këtij koalicioni parazgjedhor me PDK-në ka qenë rrezikimi i sigurisë kombëtare, e po ashtu edhe tërësia territoriale, sovraniteti i shtetit e zhvillimi ekonomik.

“Në rrethana politike, kur rrezikohet siguria kombëtare, tërësia territoriale, sovraniteti i shtetit e zhvillimi ekonomik, po kërkohet bashkimi ynë përtej programeve politike a ideologjike të partive politike. Ne duhet të jemi aty ku kërkohet bashkimi për kombin e shtetin! Sot, nga ne po kërkohet ky veprim dhe ne, nuk guxojmë të hezitojmë! Ne rrethana të tilla, vendimet janë të shpejta! Koha le t’i verifikoj”, ka shkruar Krasniqi.

Më tutje Krasniqi është shprehur i bindur në të ardhmen Nisma për Kosovën do ta ndryshoj rrënjësisht me nga qeveria e kaluar.

“Ne jemi të bindur se edhe në të ardhmen, NISMA, duke qenë pjesë e koalicionit fitues do të vihet në shërbim të një qeverisje që do të ndryshojë rrënjësisht nga qeverisjet e kaluara. Vendime tjera të mëdha e presin NISMËN për Kosovën duke qenë pjesë e qeverisjes se ardhshme”, ka shkruar Krasniqi.

“Lirinë që e sollëm dje me qytetarët e për qytetarët, sot se bashku me qytetarët do ta forcojmë sovranitetin pa fusnotë, do të vendosim prioritet zhvillimin, sigurinë, shtetin e se drejtës, shtetin e drejtësisë sociale, shtetin me arsim të avancuar e shëndetësi të përparuar”, ka theksuar Krasniqi,

Krasniqi ditë më parë ka hequr dorë nga kandidimi për deputet, duke ia lëshuar vendin anëtarit të ri të partisë, ish-gazetarit Milaim Zeka./Insajderi.com