Krasniqi tregon pse e mbështeti boksierin turk përballë Seferit

18.09.2016 20:27

Ish-boksieri shqiptar, Luan Krasniqi ka reaguar rreth komenteve të bëra për të në rrjetet sociale rreth mbështetjes që i dha boksierit turk, Firat Arslanit në duel ndaj Nuri Seferit.

Krasniqi tregon pse e mbështeti boksierin turk përballë Seferit

Luan Krasniqi në raundin e fundit të duelit, iu afrua të ringu Arslanit, me gjasë për ta këshilluar për minutat e fundit të duelit. E për këtë arsye ai mori edhe urrejtje nga tifozët shqiptar të boksit, të cilët e kryqëzuan atë për arsye se ndihmoi boksierin turk.

Megjithatë, përmes një sqarimi publik Krasniqi radhiti arsyet që e shtyn atë të “ndihmoi” boksierin Firat Arslan në meç ndaj Nuri Seferit.

“Për fat të keq, në media, e sidomos në rrjetet sociale, më shumë dhe në forma të ndryshme u komentua përkrahja ime ndaj shokut tim të ngushtë Firatit, i cili në të gjitha vitet e boksimit tim, më ishte afër, më mbështeti në të gjitha format, në ushtrime, në meçe, në kohën e lirë dhe ai, në këtë mënyrë u bë pjesë e sukseseve të mia”, ka thënë Kransiqi.

“Në veçanti, më dha mbështetje të fuçishme në meçin kundër Samil Sam, boksierit me prejardhje turke, ku ngadhnjeva sukseshëm dhe në qindra raste si ky, për çka Firatit, i jam mirënjohës”, deklaroi boksieri junikas.

Krasniqi ka thënë se edhe fitorja e Seferit do ta gëzonte atë, dhe i shprehu suksese të mëtutjeshme boksierit shqiptar.

“Do të më gëzonte, padyshim, si shumë herë deri më tash, edhe fitorja e Nuriut, ndaj, keqinterpretimet e qëndrimit tim në meçin e mbrëmshëm, nuk përkojnë me frymën sportive. Që të dy boksierëve u dëshiroj suksese në rrugëtimin e tyre të mëtejshëm sportiv dhe sportdashësve u uroj çaste të këndshme në të gjitha llojet e sporteve”, ka thënë Krasniqi.

Turku Firat Arslan mposhti Nuri Seferin me vendim unanim të gjyqtarëve. /Insajderi.com