Krasniqi: Prokurori Abdurrahim Islami është rrezik për vendin

Krasniqi: Prokurori Abdurrahim Islami është rrezik për vendin

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka thënë se prokurori i cili është duke e ndjekur atë, është shumë i rrezikshëm për vendin nëse lihet i lirë.

Në një postim të tij në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka ngritur disa pyetje rreth prokurorit Abdurrahim Islami.

“Një prokuror që monton raste politike, apo 4 aktivistë që nuk kanë asnjë faj ndaj Republikës? Një prokuror që shkatërroi provat për raste të rënda kriminale, apo 4 aktivistë që denoncuan vazhdimisht padrejtësitë në Kosovë? Një prokuror me karrierë të jashtëligjshme, apo 4 aktivistë që nuk i blenë diplomat por studiuan? Një prokuror që i shërben klanit Pronto, apo 4 aktivistë që i shërbejnë shoqërisë?”, ka pyetur Krasniqi.

“Prokurori Abdurrahim Islami, nën montimin e të cilit vdiq Astrit Dehari, përbën rrezik për vendin tonë. Çdo ditë e tij në liri përbën rrezik për drejtësinë në  Kosovë”, përfunduar postimi i tij.

Postimi i tij vjen pas publikimit të hulumtimi të Gazetës Insajderi, në të cilin dëshmohet se Prokuroria Speciale ka shkatërruar provat në një rast të vrasjes së dyfishtë ende pa u kryer hetimet dhe pa u ngritur aktakuza.

Prokurori Abdurrahim Islami ka urdhëruar policinë që t’i asgjësojë provat – armët e përdorura, ani se një gjë e tillë nuk lejohet pa u kryer procesi gjyqësor.

Ai e pranon se armët e përdorura në raste të vrasjeve nuk është dashur të shkatërrohen, por arsyetohet se mund të ketë gabuar.

Prokurori Islami aktualisht po ndjek penalisht katër aktivistë të VV-së, për terrorizëm. Mes të dyshuarve ishte edhe i ndjeri Astrit Dehari./Insajderi.com