Krasniqi përfshihet në debatin mes Ramës dhe Kurtit për demarkacionin

Krasniqi përfshihet në debatin mes Ramës dhe Kurtit për demarkacionin

Pas një debati mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti rreth çështjes së demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, ka reaguar Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, nga Nisma për Kosovën.

Ai ka thënë se të gjithë, përfshirë presidentet dhe kryeministrat duhet ta dinë se shteti i Kosovës nuk është bërë dhe nuk do zhbëhet nga opinione dhe deklarata. Kësisoj ka thënë ai, nuk do të ndryshohen as kufijtë e Kosovës.

“Le ta dinë të gjithë, Presidentë e Kryeministra. Le ta dinë Presidentë a Kryeministra se shteti i Kosovës as nuk është bërë e as zhbëhet me deklarata e opinione. Gjithashtu duhet ta dinë, se as kufijtë e Kosovës nuk ndryshohen e as ricaktohen me deklarata e opinione”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi ka falënderuar Shqipërinë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në kohë të vështira.

“Edhe për shtetin edhe për kufinjtë ka vendosur populli që i ka mbrojtur. I falënderojmë të gjithë ata që janë solidarizuar me të drejtat e liritë e popullit tonë në kohë të vështira”, ka shkruar Krasniqi.