Krasniqi kritikon platformën e Qeverisë për dialogun me Serbinë

Krasniqi kritikon platformën e Qeverisë për dialogun me Serbinë

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka hartuar platformën për fazën finale të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo platformë pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, mirëpo kjo ende nuk është bërë anipse në seancën e djeshme të Kuvendit ishte në rend dite.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka hartuar platformën për fazën finale të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo platformë pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, mirëpo kjo ende nuk është bërë anipse në seancën e djeshme të Kuvendit ishte në rend dite.

Kundër kësaj platforme e cila në bisedimet me Serbinë do të prezantohet nga presidenti Hashim Thaçi, kanë dalë partitë opozitare.

Lidhja Demokratike e Kosovës dje edhe zyrtarisht njoftoi se nuk do ta mbështes këtë platformë të cilën e cilësuan si të dobët, joserioze dhe me pretendime jokushtetuese.

Madje në pikëpyetje këtë platformë po e vënë dhe analistë e persona nga shoqëria civile.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një postimi në Facebook ka prezantuar platformën të cilën e ka përgatitur tash Qeveria e Kosovës dhe atë të kaluarën.

Ai ka shkuar se për të parë seriozitetin e Qeverisë duhet bërë krahasimin e këtyre dy platformave.

“Për me pa seriozitetin e Qeverisë në raport me dialogun me Serbinë, është mirë me ja hedh një sy Platformës shtetërore që e ka dërguar në Kuvend, prej një faqe e pak: Edhe ta krahasoni me platformën e kaluar: Ka keq e ma keq”, ka shkruar Krasniqi.

Në platformën të cilën e ka përgatitur Qeveria e Kosovës në mes tjerash thuhet ” Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me një Marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, përmes së cilës duhet të ndodhë njohja reciproke ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson se nënshkrimi i Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial”.

Ndërkaq deri tani Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë indikacione që do të bëjë ndryshime në Platformën aktuale, përkundër që ajo po kritikohet nga partitë opozitare si LDK dhe VV.