Krasniqi: Kosovës i duhet një gjeneratë e re politikanësh

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se Kosovës i duhet një gjeneratë e re e politikanëve meqë sipas tij, “kjo gjeneratë politikanësh që kombin e solli në ketë gjendje të pa perspektivë e me shpresa të thyera, nuk mundet dot ta kalojë vetveten”.

Krasniqi: Kosovës i duhet një gjeneratë e re politikanësh

“Duhet një gjeneratë e re politikanësh, që idealet e përmbysura të kombit t’i kthejë për së mbari! Ky ndryshim mund të bëhet vetëm përmes një mobilizimi të jashtëzakonshëm të potencialit të madh intelektual dhe profesional që ka Kosova e që fatkeqësisht kanë mbetur të margjinalizuar nga bartësit mediokër të institucioneve shtetërore dhe partiake”, ka shkruar Krasniqi, i nxitur nga debati i ashpër mes partive të pushtetit dhe atyre opozitare.

Sipas tij, po të shikosh mënyrën e komunikimit mes këtyre dy palëve, krijohet përshtypja se dëgjohen dy përfaqësues të dy kombeve që janë në luftë me njëri-tjetrin.

“Në shikim të parë, kur njeriu dëgjon debatet në mes të pozitës dhe të opozitës shqiptare, e krijon përshtypjen se është duke dëgjuar përfaqësues të dy kombeve, të armiqësuar ndër dekada dhe që nuk synojnë ta gjejnë as edhe një fije interesi që i bashkon”, ka shkruar ai./Insajderi.com