Krasniqi: Hashim Thaçi e përdori dialogun për përfitime personale

Krasniqi: Hashim Thaçi e përdori dialogun për përfitime personale

Kryetari i Këshillit të Nismës për Kosovë, Jakup Krasniqi,  ka thënë se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është përdorur nga presidenti Hashim Thaçi për përfitime të veta personale.

“Dialogu është një mjet për t’i zgjidhur problemet mes vete, mirëpo dialogu i filluar në vitin 2011, i filluar nga qeveria ‘Thaçi 2’, pa ndonjë përgatitje serioze, ku nuk u përdor për ta hequr Serbinë nga veriu por u përdor nga Hashim Thaçi për përfitime të veta personale”, ka thënë Krasniqi në një konferencë për media.

Ai tha se provokimi i parë nga Serbia erdhi me ndalimin e Ramush Haradinaj, sipas urdhër arrestit të Serbisë duke vazhduar me ndërtimin e murit në veri të Mitrovicës.

Ndër tjerash ai tha se ky dialog është duke u zhvilluar sipas kushteve të Serbisë. Sipas tij, politika e nënshtrimit ndaj Serbisë ishte dhe është e gabuar, duke shtuar se ky dialog nuk duhet të vazhdohet.

“Tash kur të gjithë po e shohim që ky dialog po zhvillohet sipas kushteve të Serbisë, bëhet thirrje për një dialog gjithëpërfshirës. Ne të Nismës u themi këtyre njerëzve se politika e nënshtrimit ndaj Serbisë ishte dhe është e gabuar dhe duhet të ndërpritet”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se vendi duhet sa më parë të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe më pas të ndërtohen institucionet që do të jenë rezultat i vullnetit të popullit.

Krasniqi shtoi se përgjegjësit kryesorë të degradimit të shtetit të Kosovës janë Isa Mustafa e Hashim Thaçi./Insajderi.com