Krahët e thyer të Shpend Ahmetit në Prishtinë

Dorëheqjet në Lëvizjen Vetëvendosje ia ka humbur fuqinë kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, pasi grupi i partisë është zvogëluar me formimin e grupit të pavarur të 12 të të larguarve por dorëheqja e fundit nga ky grup, e Shpend Ahmetit, ka shkaktuar një tjetër ndarje në një Kuvend tjetër, atë të Prishtinës. Por a do ja dalë Ahmeti t'i mbajë dy krahët në Prishtinë? Flasin zyrtarët e VV-së në dhe të larguarit.

Krahët e thyer të Shpend Ahmetit në Prishtinë

Përgjatë katër viteve të kaluara të mandatit të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, kishte një ankesë për të gjitha punët që kishin mbetur pa u përfunduar në kryeqytet. Mungesa e votave në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ishte ankesa që Ahmeti bënte për gjatë katër viteve të mandatit të tij të parë, shkruan Insajderi.

Madje kur Ahmeti synonte që edhe për katër vite të qëndronte në krye të Prishtinës kishte krijuar sloganin e fushatës, në atë mënyrë që të mos ankohej më. ‘Jepi krah Prishtinës’ ishte slogani i Ahmetit në zgjedhjet e fundit lokale. Me këtë slogan Ahmeti nënkuptonte që ai si kryetar i Prishtinës të mos ketë më problem numrin e votave në asamblenë e kryeqytetit.

Por qysh në fillim të mandatit të tij të dytë, Ahmeti mund ta ketë përsëri këtë ankesë për mungesën e numrave në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kjo për shkak të përçarjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë Vetëvendosje hedhë poshtë mundësinë që Ahmeti të bllokohet në Prishtinë.

Sipas Arben Vitisë, Kordinator i VV-së në Prishtinë dhe drejtor i shëndetësisë në kryeqytet, nga asamblistët e VV-së dhe drejtorët e partisë së tij nuk do të ketë asnjëherë bllokadë për kryetarin Ahmeti.

“Në asnjë moment ne si Lëvizje Vetëvendosje dhe as asamblistët, mund të flas edhe në emër të tyre për shkak se kam biseduar me ta, nuk do të bllokohet asnjë projekt të mirë për qytetarët e Prishtinës dhe në asnjë moment asamblistët e VV nuk do ta luajnë rolin e bllokuesit në kuvendin komunal të Prishtinës, por përkundër vetëm do të shtyjnë përpara për shkak se është programi i Vetëvendosjes”, ka thënë Vitia për Insajderin.

Vitia po ashtu ka thënë se në raport me drejtorët në komunën e Prishtinës nuk do të ketë asnjëherë bllokadë.

“Në raport me drejtorët që jemi aty unë kam biseduar me kryetarin Ahmetin dhe e kam siguruar se sa do të jem unë dhe drejtorët e tjerë në këto poste do të punojnë në mënyrën më të sinqertë të mundshëm siç kemi punuar deri tani, shembull në drejtorinë time për  përmirësimin shëndetësore sepse kemi ende shumë punë, tash sa do të zgjatë kjo është në çështje që i takon diskutimit dhe nivelit të bisedimeve mes Ahmetit me Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Vitia.

Optimist se Ahmeti nuk do të bllokohet në Prishtinë nga Lëvizja Vetëvendosje është edhe ish-anëtari i VV-së Nol Nushi i cili si asamblist i pavarur shpreson që nuk do të bllokohet Ahmeti nga VV për shkak të inateve.

“Nuk kam dyshime që nuk ka me funksionuar mirë për shkak se kam shumë shpresë edhe për këta që kanë mbet në Vetëvendosje që janë më pak se sa që kanë dal nuk kanë me bë këso bllokada. Përderisa Shpendi i përmbushë të gjitha planet dhe premtimet gjatë fushatës nuk besoj që ka me pas ndonjë bllokadë ose diçka të tillë”, ka thënë Nushi në një bisedë me Insajderin.

Thyerja e parë e ‘krahëve’ të Shpend Ahmetit

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës së javës së kaluar për herë të parë kishte pasur shenjat e para për thyerjen e ‘krahëve të Ahmetit’ në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Në votim ishte hedhur raporti financiar i vitit të kaluar.

Megjithatë në këtë votim Ahmeti nuk arriti të marrë më shumë se 9 vota që tregon për numrin e vogël të përkrahësve të tij në Kuvendin Komunal. Madje në këtë votim Ahmetin e kishin ‘braktisur’ edhe partneri i koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Vesel Makolli, asamblist i AKR-së në Prishtinë ka sqaruar arsyen për Insajderin përse nuk ka votuar pro këtij raporti javën e kaluar në Kuvend Komunal. Makolli ka thënë se vota kundër nuk ka pasur të bëjë me dorëheqjen e Ahmetit nga VV, por sipas tij raporti ka qenë me gabime të shumta dhe kësisoj nuk është dashur të miratohet.

“Arsyeja që javën e kaluar ka dështuar të miratohet buxheti ka qenë për shkak se ky raport ka pas mangësi të shumta dhe nuk është përgatitur si duhet por në asnjë formë nuk ka qenë refuzues apo diçka e ngjashme ndaj kryetarit Ahmeti”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se pavarësisht situatës në VV, AKR respekton marrëveshjen e arritur me Ahmetin, teksa tregon se në mbledhjen e fundit janë vërejtur dallimi mes VV-së.

“Ne e respektojmë marrëveshjen për koalicion që kemi me Shpend Ahmetin, me Vetëvendosjen është marrëveshja por është nënshkruar nga Ahmeti.  Në mbledhjen e fundit i kemi pa dallimet që kanë mes veti për shkak se ne nuk e kemi ditë që kanë një dallim të tillë. Ne javën tjetër e kem mbledhjen e Kuvendit dhe ta shohim se si do të reagojnë për shkak se aktualisht janë duke vepruar si një trup i vetëm”, ka thënë Veseli për Insajderin.

Por Nol Nushi, ka thënë se mos miratimi i javës së kaluar në nuk ka të bëjë me përçarjen në VV. Sipas tij kjo është për shkak të gabimeve që kanë ndodhë gjatë përpilimit të raportit.

“Më shumë nuk ka kaluar për shkak të mos përgatitës së mirë se sa për shkak të performancës, por teknikisht nuk ka qenë i përgatitur mirë, ndoshta komuna e qetë edhe një herë në votim”, ka thënë Nushi.

Pakënaqësitë në Lëvizjen Vetëvendosje, kanë rezultuar edhe me ndarjen e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës. 12 të dorëhequrit kanë krijuar një Grupin Parlamentar të ri në kuvend gjatë ditës së mërkurë. Njëjtë pritet të ndodh edhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku asamblistët e dorëhequr nga VV-ja pritet ta formojnë një grup të veçantë./Insajderi.com