KQZ tregon se kur do të rinumërohen votat e Prishtinës dhe Prizrenit

KQZ tregon se kur do të rinumërohen votat e Prishtinës dhe Prizrenit

Pas vendimit të PZAP-së që Prishtina, Prizreni të shkojnë në rinumërim të plotë, kurse në Rahovec dhe Dragash do të rinumërohen disa vendvotime, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se kur do të nisë ky proces.

Sipas njoftimit të KQZ-së “rinumërimi sipas vendimeve të PZAP-it do të fillojë pas kompletimit të numërimit të votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës”.

Kurse numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre me postë, do të nisë sot (e enjte) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

“Ju njoftoj se sot (e enjte, 23 nëntor, ora 14:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës, në komunat: Gjakovë, Gjilan, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Podujevë, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë dhe Kllokot”, thuhet më tej në njoftim.

KQZ-ja ka ftuar mediet e akredituara që të përcjellin këtë aktivitet të QNR-së./Insajderi.com