KQZ lejon tërheqjen e Bazajt, përkundër vendimit të PZAP-it

KQZ lejon tërheqjen e Bazajt, përkundër vendimit të PZAP-it

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  ka rishqyrtuar edhe njëherë kërkesën e Naim Bazajt për tërheqje nga gara, pasi kështu e ka obliguar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, dhe KQZ përsëri ka lejuar tërheqjen e Bazajt.

Anëtarët e Komisionit, me shtatë vota pro dhe dy vota kundër, morën vendimin që të pranojnë tërheqjen nga gara zgjedhore të Naim Bazajt, njofton Ekonomia Online.

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, ishte kundër që t’i lejohet tërheqja nga gara Bazajt.

Sipas tij, ky vendim është i paligjshëm pasi që KQZ-ja nuk mundet më iu përshtat secilës kërkesë të partive politike dhe kërkesave të kandidatëve të cilat i adresojnë.

Bazaj, një zyrtar i lartë i PDK-së në Drenas, pasi nuk ishte kandiduar nga partia, kishte vendosur të garojë i pavarur.

Por, pas takimeve me Kadri Veseli, ai e ka ndërruar mendjen dhe publikisht ka shprehur përkrahje për kandidatin Ramiz Lladrovci.

Ngjashëm ka vepruar edhe Rrahim Elshani.

Gjatë javës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka miratuar një ankesë të subjektit Nisma për Kosovën, të cilën thuhet se KQZ-ja ka anuluar jashtëligjshëm largimin nga gara të Bazajt.

PZAP e kishte obliguar KQZ-në ta rishqyrtojë përsëri vendimin e saj, por pas këtij vendimi KQZ doli përsëri me vendim të njëjtë.