KQZ ka angazhuar 12 mijë vëzhgues

KQZ ka angazhuar 12 mijë vëzhgues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar përgatitjet për procesin e nesërm zgjedhor i cili do të mbahet në 20 komuna të Kosovës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një prononcim për Koha.net ka thënë se pas mbylljes së fushatës zgjedhore e cila zgjati pesë ditë, kanë miratuar planin operacional dhe kanë filluar përgatitjet që procesi i nesërm zgjedhor të shkoj sipas planit të paraparë.

Ai ka treguar se sot do të fillojë shpërndarja e fletëvotimeve nëpër depot komunale, e kjo do të bëhet nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

“Ndërkaq nesër, ditë e diele, nga këto depo komunale fletëvotimet do të shpërndahen nëpër vendvotime”, tha ai.

Elezi ka thënë për Koha.net, se në këto zgjedhje janë akredituar 12 mijë vëzhgues.

“Janë 12 mijë vëzhgues nga subjekte politike dhe ambasada të akredituara. Pra është një numër më i vogël i vëzhguesve por është e qartë pasi që kemi të bëjmë me një numër më të vogël të komunave që do të shkojnë në balotazh”, tha ai.

Kujtojmë se në zgjedhjet e nesërme do të përballen 40 kandidatë për kryetarë komunash.

KQZ, gjithashtu ka njoftuar se të drejtë vote kanë 1 milion e 353 mijë e 613 votues, ndërsa do të jenë të hapura 614 Qendra të Votimit me 1.777 vendvotime.

Elezi për Koha.net ka thënë se vendvotimet do të jenë të hapura nga ora 7:00 në mëngjes deri në orën 19:00 në mbrëmje.

Kujtojmë edhe njëherë që Komunat të cilat do të shkojnë në balotazh për kryetarë janë: Prishtina, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Podujeva, Prizreni, Shtime, Suhareka, Ferizaj, Vushtrri, Malisheva, Kllokoti, Obiliqi, Kamenica, Istogu dhe Parteshi.

Në Prishtinë, balotazhi do të mbahet në mes kryetarit aktual Shpend Ahmeti të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi. Që të dy kandidatët kanë bërë koalicione me partitë të cilat kanë mbetur jashtë garës për balotazhin e 19 nëntorit. Shpend Ahmeti i VV-së ka bërë marrëveshje me kandidatin e AKR-së Selim Pacolli. Ndërkaq, Arban Abrashi i LDK-së ka bërë marrëveshje me kandidatin e AAK-së Arbër Vllahiu.

Për qytetin e Mitrovicës do të përballen kryetari aktual dhe kandidati i AKR-së Agim Bahtiri dhe Valdete Idrizi e PDK-së. Kjo e fundit ka bërë marrëveshje me AAK-në, ndërsa Bahtiri ka arritur marrëveshje me Alternativën dhe me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërsa në Prizren gara do të zhvillohet në mes Shaqir Totajt të PDK-së dhe Mytaher Haskukës nga VV. Kandidati i PDK-së ka arritur koalicion me AAK-në, me partinë turke KDTP dhe koalicionin e boshnjakëve VAKAT. Kurse, kandidati i VV-së, Mytaher Haskuka, ka arritur marrëveshje me kandidatin e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha.

Për Kamenicën garojnë Qëndron Kastarati i VV-së dhe Shaip Surdulli i LDK-së. Kastrati i cili ka dalë kandidati më i votuar për Kamenicën ka bërë koalicion me AAK-në, ndërsa Surdulli ka bërë koalicion me PDK dhe me AKR-në.

Në Ferizaj balotazhi do të jetë në mes kryetarit aktual Muharrem Svarqa të LDK-së dhe Agim Aliut të PDK-së. Svarqa ka arritur koalicion me AKR-në, ndërkaq Aliu deri më tani dihet se do të garojë i vetëm.

Në Vushtrri përballja do të jetë në mes Ferit Idrizit nga PDK-ja dhe Xhafer Tahirit nga LDK-ja, ku edhe këta dy kandidatë kanë bërë koalicionet e tyre për një rezultat pozitiv në balotazhin e 19 nëntorit. Idrizi i PDK-së ka bërë koalicion me AAK-në, Lëvizjen për Bashkim dhe Partinë e Drejtësisë. Ndërkaq, Tahiri ka bërë koalicion me AKR-në, e takime dhe bisedime ka pasur edhe me Vetëvendosjen, por që koalicion zyrtarisht ende nuk kanë bërë.

Gara për Istogun do të zhvillohet në mes Haki Rugovës së LDK-së dhe Gani Dreshajt të AAK-së. Dreshaj i AAK-së ka bërë koalicion me kandidatin e pavarur Arif Elshani.

Për Shtimen do të garojnë Naim Ismajli nga PDK dhe Fatmir Rashiti kandidat i pavarur. Ky i fundit ka marrë mbështetje nga LDK-ja, AAK-ja, LVV dhe Nisma për Kosovën.

Për komunën e Podujevës, do të përballen kryetari aktual Agim Veliu nga LDK dhe Ajet Potetra nga LVV.

Në Gjilan në balotazh do të përballen kryetari aktual Lutfi Haziri i LDK-së me Sami Kurteshin e Vetëvendosjes.

Për Gjakovën, do të përballen kryetarja aktuale dhe kandidatja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila dhe kandidati i AAK-së Ardian Gjini.

Në Obiliq do të përballen kryetari aktual Xhafer Gashi i AAK-së dhe Mehmet Krasniqi nga LDK-ja.

Në Kaçanik garojnë Besim Ilazi nga PDK-ja dhe Basri Kodra nga VV.

Në Rahovec do të përballen Smajl Latifi nga AAK-ja dhe Idriz Vehapi i PDK-së.

Në Suharekë do të përballen Bali Muahrremaj nga AAK dhe Sali Asllanaj nga LDK.

Në Klinë përballja do të jetë në mes Sokol Bashotës së PDK-së dhe Zenun Elezaj të AAK-së.

Ndërkaq, për Malishevën do të përballen Ragip Begaj nga Nisma dhe Mursel Gashi nga PDK.

Në Dragash do të përballen Selim Kryeziu nga LDK dhe Shaban Shabani nga PDK.

Edhe në Kllokot balotazhi do të jetë mes Strahinja Spasiq nga Lista Serbe dhe Bozhidar Dejanoviq nga GI.

Edhe në komunën e Parteshit zgjedhjet do të zhvillohen për kryetar komune, pas vendimit të KQZ-së, i cili ka konstatuar parregullsi që kanë ndikuar në procesin e votimit të 22 tetorit.