Kosovë – Letoni, statistikat e dy kombëtareve në 6 ndeshjet e fundit [Foto]

12.11.2017 18:08
Kosovë – Letoni, statistikat e dy kombëtareve në 6 ndeshjet e fundit [Foto]

Kosova dhe Letonia do të ndeshen nesër në miqësoren që do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, do të tentojë të shënojë fitoren e parë këtë vit, pas 6 humbjeve rresht të pësuara, shkruan Insajderi.

Nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Muharrem Sahiti, pas largimit të ish-selektorit Albert Bunjaku, Kosova të hënën mbrëma do të luajë përballë shikuesve të vet, ku pritet të ketë interesim të madh në stadiumin “Adem Jashari”.

Muajin e kaluar, në ndeshjen e fundit nën drejtimin e Bunjakut, Kosova u mposht me rezultat 0:2 nga Islanda, duke i mbyllur kështu me humbje ndeshjet kualifikuese të Botërorit “Rusia 2018”.

Kosova gjatë vitit 2017, ka zhvilluar gjithsej 6 ndeshje, të gjitha të vlefshme për kualifikim në Botëror, ku pësoi 6 humbje, duke shënuar vetëm dy gola, atë ndaj Islandës dhe ndaj Turqisë.

Përfaqësuesja në 10 përballjet e zhvilluara të vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror, regjistroi vetëm një barazim dhe nëntë humbje, duke u renditur e fundit në grup.

Letonia, në anën tjetër, në 6 përballjet e fundit ka regjistuar 4 humbje, një fitore dhe një barazim, duke gëzuar kështu bilanc më pozitiv se Kosova.

Kosova ndeshjen e fundit në “Adem Jashari” e kishte zhvilluar në maj të vitit 2014, ku kishte pësuar humbje turpëruese me rezultatin e thellë 1:6 nga Turqia.

Ndeshja e nesërme në Mitrovicë do të zhvillohet me fillim nga ora 19.30. /Insajderi