Kosovarit shembullor i jepet pasaporta, vetëm pas votimit në raundin e dytë

25.11.2017 14:27

Kryetari i komunës, Julius Fischer ka sqaruar se “një rishqyrtim i bërë nga komuna ka vërtetuar se z. Bajraktari i përmbush të gjitha kërkesat

Kosovarit shembullor i jepet pasaporta, vetëm pas votimit në raundin e dytë

“Ndihem dhjetë kilogramë më i lehtë”, thotë Lutfi Bajraktari , pasi që Asambleja e Qytetarëve e Komunës Oftringen ka votuar pozitivisht kërkesën e tij të dytë për natyralizim, shkruan aargauerzeitung.ch.

Në vjeshtë të vitit 2016 atij i ishte hedhur poshtë kërkesa, për shkak të akuzave të paargumentuara të bëra nga një moshatar i tij, transmeton albinfo.ch. Pas kësaj, Lutfiu kishte marrë një avokat. Ai kishte bërë ankesë dhe kantoni i kishte dhënë të drejtë. Kështu, kërkesa e tij ishte kthyer sërish për votim në Asamblenë e Qytetarëve. Kjo, për shkakun se akuzat e bëra mdaj tij ishin të pabaza dhe arbitrare, siç kishin konstatuar autoritetet e kantonit.

Megjithatë, kërkesa e kthyer në asamblenë nuk kaloi pa debat e kontestime, ndërkohë që Bajraktari i ndiqte të gjitha nga tribuna e shikuesve. U zhvilluan dy votime, gjatë të cilave ai u desh ta lëshonte vendin. Grupimet politike “Xunds Oftrige” dhe “Pro Oftringen” kanë kërkuar një rishikim të çështjes. “Ne nuk jemi kundër natyralizimit, por na pengon fakti se, pas refuzimit që i është bërë në vitin 2016, `i akuzuari` nuk është marrë në pyetje nga komuna”, ka thënë një përfaqësues i “Pro Oftringen”, përcjell albinfo.ch. Kështu, sipas tij mbetet i dëmtuar jo vetëm imazhi i Bajraktarit por mbetet e pasqaruar edhe çështja e akuzave që i janë bërë atij.

Por, pjesëmarrës tjerë në debat i kanë dalë në mbrojtje Lutfiut duke kërkuar që të mos bëhet “teatër” rreth gjithë kësaj. Ndërsa kryetari i komunës, Julius Fischer ka sqaruar se “një rishqyrtim i bërë nga komuna ka vërtetuar se z. Bajraktari i përmbush të gjitha kërkesat. Çështja e shpifjes së bërë ndaj tij mund të zgjidhej përmes procedurës civile dhe jo përmes komunës, transmeton albinfo.ch. Një kontest i ri juridik do të shkaktonte vetëm shpenzime. Edhe kështu, taksapaguesve të komunës kjo procedurë u ka kushtuar deri tash mbi 4000 franga. Kështu, u bë rivotimi, në të cilin, në favor të Lutfiut votuan edhe pjesëtarët e organizatave që e kishin kontestuar këtë vendim.