Kosovare Asllani shpallet futbollistja më e mirë e vitit në Suedi

20.11.2017 22:33
Kosovare Asllani shpallet futbollistja më e mirë e vitit në Suedi

Kosovare Asllani është shpallur futbollistja më e mirë në Suedi, duke fituar çmimin “Topi i Diamantit”.

Futbollistja 28-vjeçare kosovare, pranoi çmimin e futbollistes më të mirë të vitit në Suedi, raporton Insajderi.

Asllani mposhti dy rivalet e saj, Nilla Fischer e Hedvig Lindahl, për të fituar çmimin “Topi i Diamantit”, më prestigjozi për kategorinë e femrave në Suedi.

Hedvig Lindahl e Lotta Schelin kanë fituar këtë çmim në gjashtë vitet e fundit, trend i cili më në fund u thye nga futbollistja kosovare.

“Një lojtare e cila është zhvilluar në mbrojtje, dhe është shndërruar në lojtare kyç dhe lidere në ekipin kombëtar të Suedisë. Ajo posedon aftësi mahnitëse, saktësi në shënimin e golave, dhe ka qëndrim prej fituese”, ishin fjalët dedikuar Asllanit kur iu dha ky çmim nga kreu i federatës, Karl-Erik Nilsson.

“Jam shumë krenare që kam fituar këtë çmim. Ky nuk është vetëm çmimi im. Falënderim i madh i takon familjes time, të cilët më kanë qëndruar pranë gjithmonë”, tha Asllani.

“Dua të falënderoj familjen time, ekipin kombëtar, dhe klubin tim”, përfundoi 28-vjeçarja. /Insajderi