Kosova sivjet më pak grurë

Federata sindikale e Bujqve të Kosovës ka kritikuar qasjen e deritanishme, në mbrojtjen e prodhimit dhe politikat stimuluese për grurë. Zyrtarë të ministrisë së Bujqësisë kundërshtojnë këto kritika.

Kosova sivjet më pak grurë

Në një konferencë për media të mbajtur në sheshin “Nënë Tereza”, kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, me rastin e përfundimit të korrje-shirjeve në Kosovë, tha se rendimenti i grurit sillet 2700 kilogramë për hektarë dhe se rreth 30 mijë hektarë grurë kanë qenë më pak të mbjellë sivjet.

“Kjo për neve është shumë brengosëse, andaj duhet të jetë për të gjithë edhe për Qeverinë dhe për popullin për shkak se sivjet në bazë të parametrave tonë nuk kemi me mundur me siguruar bukë më shumë se 20 për qind”, tha ai. Rendimentet kaq të ulëta, sipas Tahirit, vijnë edhe si pasojë e farërave, plehrave dhe pesticideve jocilësore. Përveç kësaj, ka edhe destimulim të fermerëve, për shkak të subvencioneve të ulëta dhe konkurrencës jolojale nga importi.

Ai tha se problem tjetër që paraqet për bujqit janë edhe keqpërdorimet që i bën Ministria e Bujqësisë me rastin e dhënies së subvencioneve.

“Problem tjetër që ka ndikuar në ulje të sipërfaqeve dhe të rendimenteve është konkurrenca jo lojale që na vjen nga importi, e posaçërisht nga Serbia, me kualitet mjaft të dobët”, shtoi ai

E në anën tjetër, Isuf Cikaqi, drejtor i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, para konferencës së sindikatës, deklaroi se edhe pse nuk ka ende raport final për të dhënat e korre-shirjeve, Kosova këtë vit ka pasur sipërfaqe me grurë rreth 70 mijë hektarë, ose 14 mijë hektarë më pak se në vitin e kaluar.

Po ashtu, Cikaqi tha se rendimentet sivjet ishin prej 3500-4000 kilogramë për hektarë me një cilësi të mirë.

”Si nevojë për vendin tonë, i bie që rreth 410 mijë tonë grurë i nevojiten në Kosovë. Nga ky 410 mijë tonë që është i nevojshëm, sivjet më këtë 70 mijë hektarë sipërfaqe dhe me një rendiment rreth 4 tonë për hektarë i bie që në Kosovë prodhohen në sasi të përgjithshme rreth 280 mijë tonë, kurse pjesa tjetër duhet me u siguruar përmes importit”, tha ai.

E profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci, bëri me dije se metodologjia e masave stimuluese për fermerët duhet të ndryshojë dhe të ketë kritere për produktivitetin e punës. Andaj, sipas tij, fermerët nuk duhet të jenë të demotivuar dhe të dekurajuar, përkundrazi, ata duhet të nxiten mes masave stimuluese që Kosova të sigurojë një prodhimtari të mjaftueshme vendore, njofton RTK.

Imer Rusinovci, Profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Ndryshe, Federata e Bujqve të Kosovës ka bërë të ditur se në Kosovë operojnë rreth 1 mijë autokombajna dhe asnjë prej tyre nuk ka korrur grurë më shumë se 40 hektarë sivjet. Kjo, sipas kësaj federate, i bie që nuk ka pasur më shumë se 40 mijë hektarë sipërfaqe me grurë në Kosovë.