Kosova si vatër e rrezikuar nga sulmet e xhihadistëve të kthyer në vendlindje

19.03.2017 20:10
Kosova si vatër e rrezikuar nga sulmet e xhihadistëve të kthyer në vendlindje

Trupat e ISIS-it po zmbrapsen në territoret e okupuara por rreziku nga terrorizmi qëndron. Madje shtrirja e tyre është bërë edhe globale, tregon Matteo Bressan, hulumtues i Shoqërisë Ushtarake të Italisë.

Kjo po ndodh për shkak se qindra luftëtarë të huaj po kthehen në vendet e tyre apo edhe largohen në vende tjera, e ky fenomen po ndodh që nga viti 2015 dhe po afekton Evropën.

“Pos efekteve tjera, zgjon edhe sulmet në Evropë,” tha Bressan në një intervistë për Lettera43.

Luftëtarët po ikin dhe fshihen në vende të ndryshme më pak të kontrolluara.

“E dimë që prej vitit 2015, ka me mijëra luftëtarë që fshihen apo ikin nëpër shtete të ndryshme ose në hapësira më pak të kontrolluara për strehim. Secili shtet i ka këto streha,” tregoi Bressan, i cili është edhe hulumtues ushtarak në NATO.

Ndërsa i pyetur për vendet se ku këta terroristë fshihen kryesisht, Bressan tha që me mijëra vdesin gjatë luftërave, disa të mbetur kthehen të  penduar dhe bashkëpunojnë më pas me autoritetin, e shumë nga ta ikin në shtetet fqinje për mbrojtje nga xhihadistët.

“Shumë ikin në shtetet fqinje apo në vende ku grupet xhihadiste japin mbrojtje: në Kosovë, Libi… pastaj një vend tjetër potencial është pjesa Afrikanë poshtë Saharës,” u shpreh ai.

Sado që mundohen, është e pamundur të kontrollosh gjithë të dyshuarit që kalojnë nëpër shtetet e Evropës. Me tentime kanë arritur ti kthejnë mbrapsht qindra terroristë, por numri i tyre është mjaft i madh. Prej 70 mijë sa janë regjistruar, 30 mijë ishin nga vendet jashtë shtetit islamik, ndërsa 4 mijë ishin evropianë.

Pos kësaj është e pamundur edhe të parashikosh se kush do të kryejë aksionin e planifikuar, e kjo për shkak që xhihadistët edukojnë nga larg të rekrutuarit e tyre.

“Normalisht që ka edukim, edhe nëse nuk ka urdhra nga grupi xhihadist: ujqit e vetmuar i lexojnë instruksionet e tyre se si duhet të bëhet sulmi, radikalizohen vet fare në internet. Kjo është edhe njëra ndër gjërat që na e vështirëson të identifikojmë terroristët,” tha Bressan.

Kështu përmes edukimit nga larg kishin ndodhur edhe sulmet në Nice e Berlin, dhe këto sulme mund të ndodhin kudo edhe në vendet tjera të Evropës, në këtë rast Bressan tregon që mund të ketë rrezik edhe në Itali.

“E vetmja mënyre për të luftuar kërcënimet është me një partneritet real dhe shkëmbim të vërtetë të informacionit mes policisë dhe forcave kundër terrorizmit, nga të gjitha shtetet. Duke filluar nga pesë anëtaret e Këshillit të Sigurimit të BE-së, unë nuk shoh ndonjë alternativë tjetër,” tha ai.