Kosova me rendimentet e grurit më të ulëta në 10 vitet e fundit

09.08.2017 11:00
Kosova me rendimentet e grurit më të ulëta në 10 vitet e fundit

Rendimenti mesatar i grurit në vitin 2017 është më i ultë në dhjetë vite e fundit, përafërsisht sillen rreth 2700 kilogram për 1 hektar. Këtë vitin 30 mijë hektar kanë qenë më pak të mbjella me grurë, raporton Ekonomia Online.

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës tha se këtë vit vetëm 25% është siguruar buka për popullatën e Kosovës.

Kjo sipas tij, ngase qeveria po lejon që në Kosovë të hyjë grurë i kualitetit shumë të dobët me çmime shumë të ultë, kështu që çmimi i grurit ka qenë 12 deri në 14 cent për kilogram.

Çmim ky sipas kryetarit të Sindikatës demotivues për bujqit duke i detyruar këta të fundit të heqin dorë nga kultivimi i grurit.

“Nga mbjellja e grurit fermerët nuk po arrijnë që të mbulojnë koston e prodhimit e në anën tjetër edhe subvencionet që i jep ministria e Bujqësisë nuk kanë dhënë as efektin minimal për rritjen e rendimentit”, ka thënë ai.

“Farërat fallco, plehrat me kualitet të dobët që vijnë nga importi, pesticidet fallco, kushtet jo të përshtatshme kilamtike po ndikojnë në rendimentin e ulët të grurit në Kosovë. Kjo për arsye se kërkesa e FSBK-së drejtuar qeverisë për kredi bujqësore me kushte sikurse në shtete e tjera nuk është realizuar”, tha ai.

Sipas tij, Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës për qeverinë e ardhshme ka kërkesa të reja:

“Kërkohet bashkëpunim sipas statutit të FSBK0SË, Largimi i bartësve të korrupsionit në MBPZHR dhe vënia e tyre para drejtësisë për dëmin e bërë bujqësisë, rritja e buxhetit për bujqësi për 100%, rritja e subvencionit për grurin në 300-400 euro për hektar tu mundësohet subvencione atyre që mbjellin 50 ari e më shumë. Të themelohet një bankë që të jep kredi të volitshme për bujqësi dhe shumë kërkesa të tjera të cilat do t`I artikulojmë pas formimit të qeverisë së re”, sqaroi Tahiri.