Kosova ndihmoi fushatën zgjedhore në Serbi me pezullimin e dialogut

25.03.2017 18:07
Kosova ndihmoi fushatën zgjedhore në Serbi me pezullimin e dialogut

Vendimi i Kuvendit të Kosovës për pezullimin e dialogut me Serbinë po i jep më shumë mundësi vetë Serbisë, në një kohë kur është futur në zgjedhjet presidenciale, thonë njohës të rrethanave politike në vend. Sipas tyre, Kosova i ka ofruar Serbisë një komoditet deri në rifillimin e këtij procesi.

Kuvendi i Kosovës, pak javë më parë, miratoi një rezolutë me të cilën kërkoi pezullimin e dialogut me Serbinë, deri në lirimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili po mbahet nën masën e lirimit me kusht, në Colmar të Francës.

Haradinaj u ndalua më 4 janar nga policia franceze mbi bazën e një fletë-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, me akuzat për krime lufte.

Vendimi i Kuvendit të Kosovës u përcoll menjëherë me respektim nga Qeveria e vendit. Por, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se pezullimi i dialogut në kohën e zgjedhjeve në Serbi, nuk është i rastësishëm.

“Ky pushim i dialogut natyrisht që i ofron, në fakt Serbisë, një komoditet që të organizojë zgjedhjet presidenciale edhe në Kosovë. Pra, është një lloj marrëveshjeje në heshtje, e cila mund të thuhet se krijon një situatë relaksuese derisa të rifillojë dialogu për trajtimin e çështjeve më të rënda”, thotë Mushkolaj.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për ndërprerjen e bisedimeve vetëm, siç thotë, ‘për t’i bërë qejfin Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës’.

Siç thotë Mushkolaj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku mund të jetë biseduar, siç shprehet ai, edhe për ndërprerjen e dialogut.

“Në një farë forme është një kontribut, edhe në marrëveshje Serbinë për shkak se në e dimë se ka pasur komunikime ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit të tashëm të Serbisë Vuçiq, kandidatit për president. Dhe, nuk e dimë saktë se çka është biseduar. Ka mundur të ndodhë që edhe në takimet e tjera, qoftë në Bruksel apo në këto komunikimet nëpërmjet telefonit, është arritur një pajtim për këto çështje”, thekson Mushkolaj.

Pezullimi i përkohshëm i dialogut i vendosur nga Kosova është parë me shumë rezerva në Serbi dhe autoritetet e atjeshme kanë “akuzuar palën nga Kosova për mosgatishmëri për të zbatuar marrëveshjet e arritura përmes ndërprerjes së dialogut”.

Një numër marrëveshjesh që janë arritur në kuadër të dialogut nuk janë zbatuar dhe të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për pengesat në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut, ka bërë thirrje për vazhdimin e dialogut dhe ka kërkuar nga palët që të tregojnë “vullnet për t’i zbatuar ato që janë arritur”.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, mendon se zhvillimet politike, të cilat po ndodhin në të dyja shtetet, si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi, mund t’ju konvenojnë palëve për një ndërprerje të dialogut për një kohë të caktuar.

“Ekipi dialogues i Kosovës në një aspekt po i del në ndihmë ekipit dialogues të Serbisë, sepse pala serbe aktualisht prioritet i ka zgjedhjet presidenciale dhe është e pritshme që nuk do të mund të fokusohej në mënyrë aktive në dialogun e Brukselit. Kështu që është një lloj mirëkuptimi, nëse mund të thuhet ashtu, mes dy palëve që në këtë moment që ka rëndësi shumë të madhe politike për të ardhmen në Serbi, të gjendet një lloj marrëveshje për pauzimin e dialogut”, konsideron Muhaxhiri.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i nisur që prej afro 6 vjetësh qe pezulluar disa herë për shkak të zgjedhjeve qoftë në Serbi, qoftë në Kosovë. Ai rinisi me fillimin e këtij viti, pas disa muajsh pushimi dhe vetëm pas ngritjes së tensioneve me nisjen e një treni me ikonografi mesjetare nga Serbia për në Kosovë dhe ndërtimit të një muri në veri të Mitrovicës që u pa si përpjekje për ndarje etnike. /rel