Kosova merr rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave

Kosova merr rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos ka konfirmuar se Kosova ka marrë rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirshme.

Në një konferencë për shtyp në Bruksel së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, Avramopoulos ka deklaruar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për viza. Tashmë gjithçka është në duar të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian”, ka thënë Avramopoulos.

Komisioneri Evropian për Migrim ka uruar institucionet dhe qytetarët e Kosovës për këtë arritje.

“Kjo nuk ishte e lehtë, ne e dimë këtë. Do doja të uroja institucionet kosovarët për angazhimin në këtë proces. Demarkimi i kufirit me Malin e Zi ishte një hap i madh për përmbushjen e kritereve. Tash, ne inkurajojmë Këshillin dhe Parlamentin Evropian që të lëvizin përpara me propozimin tonë. Unë vërtetë shpresoj se jemi shumë pranë një regjimi pa viza për të gjithë rajonin, i cili do të vendoset shumë shpejt”, ka thënë ai. /Insajderi.com