Kosova merr pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Arkivave në Kore të Jugut

Kosova merr pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Arkivave në Kore të Jugut

Përfaqësues të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës po marrin pjesë në Kongresi Ndërkombëtar i Arkivave që po mbahet në Seul të Kores së Jugut.

Ky kongres, që mbahet çdo katër vjet, ka filluar me 5 e do të përfundoj me 10 shtator, është një ngjarje e veçantë ndërkombëtar për arkivat dhe menaxhimin e dokumenteve dhe shënimeve në mbarë botën.

Agjencia e Arkivave të Kosovës njofton se vendi ynë përfaqësohet nga Ramë Manaj, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave dhe Shpresa Mekaj, drejtoreshë e Departamentit për Politika Zhvillimore të këtij institucioni.

Sipas njoftimit tema kryesore e këtij viti është “Arkivat, harmonia dhe miqësia: Sigurimi i ndjeshmërisë kulturore, drejtësisë dhe bashkëpunimit në një botë të globalizuar”.

“Sesionet e Kongresit do të shqyrtojnë temat që ndërlidhen me ruajtjen e të dhënave në epokën digjitale, bashkëpunimin arkivor, përdorimin e të dhënave dhe arkivave në sistemin e drejtësisë, harmoninë në mes të kulturave dhe shoqërive arkivore, etj”.

Kosova, prej vitit 2004 është anëtare e Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave në kategorinë A. /Insajderi.com