Kosova merr nga Banka Botërore 34 milionë euro

Kosova merr nga Banka Botërore  34 milionë euro

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marko Mantovanelli, nënshkruan sot dy marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore.

Marrëveshja për financimin e projektit të Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport, si dhe Marrëveshja për financimin e granteve për bujqësi përfshirë edhe rehabilitimin e kanaleve në skemat e ujitjes “Radoniqi” dhe “Dukagjini”, kapin vlerën 34.3 milionë euro.

Ministri në detyrë i Financave tha se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, këto dy marrëveshje do të mundohen që t’i ratifikojnë dhe të hyjnë në fuqi, raporton Ekonomia Online.

Nga ana e tij, Mantovanelli bëri të ditur se këto dy marrëveshje janë finalizuar pas një pune disamujore me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

“Po mundohemi t’i ndihmojmë Kosovës për prodhimtarinë e brendshme dhe që të jetë konkurruese me vendet e tjera”, tha ai.

Sipas tij, këto dy projekte që do të financohen nga Banka Botërore do të ndihmojnë në krijimin e vendeve të reja të punës.

Përfaqësuesi i BB-së tha se presin ratifikim sa më shpejt të këtyre marrëveshjeve nga Kuvendi i ri.