Kosova merr 27 milionë dollarë shtesë prej USAID-it

Kosova merr 27 milionë dollarë shtesë prej USAID-it

Republika e Kosovës merr edhe 27 milionë dollarë shtesë në kuadër të grantit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili tash arrin në 130 milionë dollarë.

Kjo u bë sot me nënshkrimin e amendamentit të 7-të të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimor, që u realizua mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe drejtorit të USAID-it në Kosovë, James Hope.

Duke folur për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, presidenti Thaçi theksoi se ky është vërtetim i partneritetit Kosovë-ShBA.

“I jemi mirënjohës administratës amerikane dhe tërë popullit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme vëllazërore për popullin e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentit.

Kurse, ambasadori  Delaëie tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen si përkushtim i vazhdueshëm për të ndihmuar Kosovën që të adresojë sfidat zhvillimore dhe progresin drejt një të ardhme më të qëndrueshme evropiane.

“Ne po e ndihmojnë Kosovën që të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të hiqen pengesat ndaj zhvillimit ekonomik, si dhe të rritet besimi i qytetarëve në institucionet demokratike të Kosovës. Zhvillimi i qëndrueshëm ishte tema kyçe e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë vit. Dhe është e duhur që ta përmbyllim ngjarjen e sotme, duke u zotuar të gjithë së bashku për të përmbushur objektivat zhvillimore të Kosovës përmes një partneriteti dhe bashkëpunimi efektiv dhe pune të palodhshme”, ka thënë ambasadori Delaëie.

Amendamenti i 7-të i Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore është vazhdimësi e amendamenteve të marrëveshjes bazë, të nënshkruar më 9 tetor 2013, në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Bazuar në këtë marrëveshje, Kosova është përfituese në realizimin e tri objektivave zhvillimore. Objektiva e parë është përmirësimi i sundimit të ligjit dhe qeverisja që i plotëson nevojat e qytetarëve; e dytë është shtimi i investimeve dhe krijimi i punësimit në sektorin privat; kurse e treta është zhvillimi i kapitalit njerëzor./Insajderi.com