Kosova mbetet pa president, kryeministër e kryeparlamentar ditën e nesërme

03.09.2016 19:43

Ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan nga ana e Papa Françeskut solli që udhëheqësit kryesorë të Kosovës të nisen të gjithë drejt Vatikanit dhe automatikisht ta lenë qoftë edhe një ditë Kosovën brenda territorit, pa president, kryeministër, kryekuvendar dhe ministër të Jashtëm.

Kosova mbetet pa president, kryeministër e kryeparlamentar ditën e nesërme

Ndërsa kryetarët e opozitës edhe pse e kanë përgëzuar shenjtërimin e Nënës Terezë kanë vendosur të qëndrojnë në Kosovë, shkruan Express, njofton Insajderi.

Largimin nga Kosova i pari e ka lajmëruar zyra e kryeministrit e cila në njoftimin për media ka bërë të ditur “kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me një delegacion të lartë të Qeverisë së Kosovës po qëndron në Romë, ku do të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare të organizuara për nder të shenjtërimit të Nënës Terezë.

Ndërkaq, nesër, kryeministri Mustafa do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të shenjtërimit të Nënës Terezë, e cila do të mbahet në Selinë e Shenjtë.”

Por edhe nga zyra e kryeparlamentarit kanë njoftuar se “kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli po qëndron në Romë, ku gjatë ditës së sotme dhe të nesërme merr pjesë në ceremonitë solemne të organizuara për nder të shenjtërimit të Nënës Terezë.”

I fundit për largimin nga Kosova e ka njoftuar Presidenti hashim Thaçi që me anë të një njoftimi për media shkruhet “presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë. ”

Ndërsa mësohet se ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj jo vetëm që ndodhet në Vatikan po po bën përpjekje duke kërkuar njohje të Kosovës te Vatikani dhe India. “Nëna Terezë dha aq shumë për Vatikanin dhe Indinë. Puna e saj nuk duhet të njihet vetëm me shenjterimin por edhe me njohjen e shtetesisë së Kosovës” ka shkruar Hoxhaj në profilin e Twitterit.

Ceremonia e shenjtërimit të Nënës Terezë do të mbahet nesër dhe pjesë e saj do të jenë rreth 100 mijë besimtarë, si dhe liderë e personalitete të shumta botërore.

Ndër solistët e njohur që do të përformojnë në këtë koncert janë edhe dy artistet shqiptare, Rita Ora dhe Inva Mula. Kurse futbollisti shqiptar, Lorik Cana, do të recitojë poezinë e “Nënës Terezë”. /Insajderi.com