“Kosova është Kosovë” – baneri që u ndalua të shfaqej në “Loro Boriçi”

“Kosova është Kosovë” – baneri që u ndalua të shfaqej në “Loro Boriçi”

“Dardanët janë këtu. Kosova është Kosovë”, baneri që do të hapej me këtë mbishkrim në “Loro Boriçi” të Shkodrës, nuk është lejuar të hyjë në stadium.

Policia e Shqipërisë ua kanë ndaluar “Dardanëve” ta fusin në stadiumin në “Loro Boriçi” banerin “Kosova është Kosovë”, me pretekstin se është politike.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i tifo grupit “Dardanët”, Lulzim Berisha, i cili thotë se kjo nuk ka të bëjë asgjë me politikë, shkruan Express.

“Arsyeja pse nuk na është lejuar baneri në stadium, kinse është politike. Ideja është e thjeshtë. Kosova është Kosovë, ne jemi shtet dhe kemi shpall pavarësinë. Nuk më duket asgjë politike këtu”, tha Lulzimi.

“Nuk na është lejuar asnjëherë baner. Ka qenë edhe 24 marsi në shenj falënderim për trupat e NATO-s që kanë filluar bombardimet, gjithashtu nuk është lejuar të hyjë. Kemi pasur gjithë 24 banerat me fanellat e lojtarëve, nëntë prej tyre na i kanë humbur”, shtoi ai.

“Nuk e di dhe nuk dua ta mendoj kush ka qenë arsyeja e motivi me i njollos këto koreografi, por nuk ka qenë arsye politike”, shtoi më tej Lulzimi.